Depresioni është një nga çrregullimet më të përhapura të shëndetit mendor, duke prekur miliona njerëz në mbarë botën. Megjithatë, kërkimet e reja tregojnë se disa faktorë të stilit të jetesës dhe disa medikamente mund të ndihmojnë në zvogëlimin e rrezikut për shfaqjen e kësaj gjendjeje.
Një studim i publikuar në shkurt 2025 tregon se personat me diabet që trajtohen me agonistë të receptorëve GLP-1, siç është Ozempic, kanë një probabilitet më të ulët për zhvillimin e depresionit krahasuar me ata që përdorin medikamente të tjera për këtë sëmundje metabolike, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Kjo sugjeron se ndikimi i terapisë mjekësore shkon përtej kontrollit të diabetit, duke përfshirë edhe mbrojtjen e shëndetit mendor.
Gjithashtu, një hulumtim i nëntorit 2024 thekson rëndësinë e ushqyerjes së shëndetshme.
Konsumi i përditshëm i agrumeve, si portokajt, lidhet me një ulje të dukshme të rrezikut për depresion. Këto fruta janë të pasura me vitamina, antioksidantë dhe përbërës që ndikojnë pozitivisht në funksionimin e trurit.
Përveç ushqimit dhe trajtimeve mjekësore, aktiviteti fizik mbetet një faktor kyç.
Një studim i marsit 2025 konfirmon se ushtrimet e rregullta me intensitet të moderuar ose të lartë ndihmojnë jo vetëm në përmirësimin e gjendjes fizike, por edhe në uljen e rrezikut për çrregullime neuropsikiatrike, përfshirë depresionin.
Këto gjetje të reja tregojnë se një kombinim i ushqyerjes së shëndetshme, aktivitetit fizik të qëndrueshëm dhe përdorimit të disa terapive specifike mund të kontribuojë në mbrojtjen e shëndetit mendor dhe në reduktimin e rrezikut për depresion. /Gazeta Shneta/




