Nëna Adrianë Asllani i ka dedikuar një falënderim prekës Klinikës së Pediatrisë në QKUK, konkretisht repartit të Hemato-Onkologjisë, pas shërimit të djalit të saj L.
Asllani e ka vlerësuar lart punën dhe angazhimin e mjekëve dhe infermierëve të klinikës. Ajo ka thënë se i gjithë stafi ka qenë i përkushtuar për trajtimin dhe shërimin e të birit të saj, shkruan Gazeta Shneta.
“Falë profesionalizmit, përkushtimit dhe dashurisë suaj, sot djali ynë ka fituar një betejë të madhe dhe ne e shohim të ardhmen me më shumë dritë e shpresë”, ka shkruar ajo.
Postimi i plotë:
Me zemër plot mirënjohje, duam të falënderojmë nga thellësia e shpirtit gjithë stafin mjekësor dhe infermierët që u bënë pjesë e betejës së djalit tonë, duke na qëndruar pranë në çdo hap. Falë profesionalizmit, përkushtimit dhe dashurisë suaj, sot djali ynë ka fituar një betejë të madhe dhe ne e shohim të ardhmen me më shumë dritë e shpresë.
Ju nuk ishit vetëm mjekë dhe infermierë, por u bëtë pjesë e familjes sonë, na dhatë forcë kur ne dobësoheshim, na dhatë buzëqeshje kur shpresa dukej e largët, dhe na dhatë siguri kur frika na pushtonte.
FALEMINDERIT
Reparti Hemato-Onkologjik Pediatrik Prishtinë
Ju falënderojmë për çdo orë të kaluar pranë Leonit, për çdo fjalë ngushëlluese, për çdo buzëqeshje që na jepnit kur shpresa dukej e largët.
Kemi kaluar shumë sprova, kemi qarë bashkë, kemi heshtur bashkë, kemi pritur përgjigje bashkë. Dhe ja ku jemi sot – fitues, sepse besuam. Fitues, sepse nuk u dorëzuam. Fitues, sepse ju na mësuat që jeta ia vlen të luftohet me gjithë forcën e shpirtit.
Leoni sot është shembull i mrekullisë që ndodh kur dashuria, shkenca dhe përkushtimi bashkohen. Ju keni lënë gjurmë të përjetshme në zemrat tona.
Me mirënjohje të pafund , me dashuri pakufi dhe përqafime nga thellësia e shpirtit
Fisnik & Adriana & Leon




