Close Menu
Gazeta ShnetaGazeta Shneta
  • Lajme
  • Teknologji
  • Mjeku juaj
  • Këshilla për shtatzëna
  • Femina
  • Jetë
  • Publikime
  • Psikologji
  • Logopedi
  • Fizioterapi
Facebook X (Twitter) Instagram
Facebook X (Twitter) YouTube
Gazeta ShnetaGazeta Shneta
  • Lajme
  • Teknologji
  • Mjeku juaj
  • Këshilla për shtatzëna
  • Femina
  • Jetë
  • Publikime
  • Më shumë
    • Psikologji
    • Logopedi
    • Fizioterapi
Gazeta ShnetaGazeta Shneta

Familjarët si staf mbështetës – Në QKUK nuk “shtrohen” vetëm pacientët

Lajme 28/01/2026
Facebook WhatsApp Twitter LinkedIn Reddit Email Telegram
Shpërndaje
Facebook WhatsApp Twitter LinkedIn Email Telegram

Të ulur në karrige plastike, të shtrirë në korridore apo duke përfituar nga ndonjë shtrat i lirë për disa orë gjumë, shoqëruesit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës rrëfejnë një realitet që për ta është bërë i zakonshëm. Ata janë aty pa kontratë, pa orar por me përgjegjësi të plota ndaj njerëzve të tyre.

Shkruan: Donika Gashi

“Prej të enjtes jam këtu,” thotë M.F., e ardhur nga Franca vetëm për nënën e saj që po trajtohet në Neurologji. Kur e vizituam të hënën, ajo kishte kaluar tashmë katër netë në spital. “Po fle kur ka vend në shtrat, kur s’ka, sillna gjithë natën në korridor. Ka qenë edhe një karrige, por e kanë marrë se është bërë kallabllëk.”

Ajo nuk është pastruar që kur erdhi para pesë ditësh. Ka dalë vetëm një herë për të blerë rroba për t’u ndërruar. Ushqimin e siguron vetë, po ashtu edhe infuzionet për nënën.

“Duhet me dalë me i ble vetë. Kur dal unë, rrin shoqëruesja tjetër me nanën. I kemi nda me rend.”

Në dhoma ku pacientët janë të një gjinie, shoqëruesit janë burra e gra bashkë. Për të, fakti që ndodhet në një dhomë vetëm me gra është një lehtësim.

“Në dhoma të tjera janë përzi. Pacientët janë një gjini, po shoqëruesit jo.”

Një tjetër shoqërues, që ka nëntë ditë pa u kthyer në shtëpi, rri pa ndërprerje për vjehrrën e tij të paralizuar.

“Veç në karrige flej,” thotë ai. “Infermierët vijnë për barna, për tjetër s’ka shans. S’ka kush me ja dhanë supën, me i dhanë ujë.”

Në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale, një grua 63-vjeçare, vetë e sëmurë nga unazat, qëndron ditë e natë pranë motrës së saj 44-vjeçare, e cila po i nënshtrohet operimeve të përsëritura.

Ajo fle ngjitur me të, në hapësirën e vetme që mbetet e lirë, edhe pse qëndrimi i gjatë ia përkeqëson gjendjen shëndetësore.

Për motrën nuk ka kush tjetër të kujdeset se ajo ka një djalë 11-vjeçar, ndërsa burri i saj punon dhe nuk ka mundësi të qëndrojë në spital. Kujdesi bie mbi motrën e madhe, e cila, pavarësisht dhimbjeve, e sheh këtë si detyrim të pashmangshëm.

Në një tjetër dhomë të së njëjtës klinikë, një shoqëruese tjetër udhëton çdo ditë Kaçanik – Prishtinë për nënën e saj.

Sot do të flejë për herë të parë në spital.

“Fëmijët i la në banesë. Burri është në punë. U kam thanë kunatave me i pa për bukë,” tregon ajo. Ka dy fëmijë, 14 dhe 11 vjeç, dhe vetëm një motër tjetër me të cilën përpiqet ta ndajë barrën e kujdesit për nënën e tyre të shtrirë në Klinkën Abdominale në QKUK.

Në repartin e intervenimeve vaskulare, një djalë ka marrë përsipër rolin e infermierit për babanë e tij.

“Kam mësu me mat tensionin, me ndërru qesen e kateterit, me i pa infuzionet. Ka ndodhë që edhe e kanë harru ilaçin, u dashtë me ja përkujtu.”

Ai ka humbur tri ditë pune dhe për ditët e tjera ka marrë pushim pa pagesë.

“Në privat punoj. Nuk ta paguajnë ditën. Tash kam marrë laptopin, do punoj prej këtu.”

Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Abdominale në QKUK, dr. Ever Fekaj, thotë se në këtë klinikë nuk kërkohet nga pacientët që të kenë shoqërues dhe as nga familjarët që të përkujdesen për ta. Përkujdesja ndaj pacientëve sipas tij bëhet nga stafi i klinikës, mjekë dhe infermierë, në mënyrën më optimale të mundshme.

“Gjithmonë është kërkesë e familjarëve apo të afërmve që të qëndrojnë me pacientët, shpeshherë edhe insistive,” thotë Fekaj, duke shtuar se kërkesat shqyrtohen nga shefat e njësive dhe, në raste të caktuara, mund të aprovohen nga drejtoria e klinikës. Ai thekson gjithashtu se “prezenca e shoqëruesve paraqet pengesë për ofrim të shërbimeve optimale për pacientët”.

Në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale ekziston një procedurë për shoqëruesit: ata pajisen me kartelë identifikuese ku shkruhet “Përcjellës”, emri i klinikës dhe numri i dhomës. Kjo kartelë u mundëson të hyjnë në repart dhe të qëndrojnë pranë pacientëve. Sidoqoftë, gjatë ditëve të vizitës në terren u vu re se për disa shoqërues nuk kishte kartela, për shkak të mungesës së tyre. Në këtë mënyrë, kartelat jo vetëm që rregullojnë hyrjen dhe qëndrimin në repart, por edhe dëshmojnë se shoqëruesit janë bërë pjesë e domosdoshme e sistemit.

Kartelë e përcjellësit në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale

Edhe në Klinikën e Neurologjisë, shoqëruesit ishin të pajisur me këtë kartelë.

Edhe pse kartela i lejon shoqëruesit të hyjnë dhe të qëndrojnë pranë pacientëve, ajo nuk e zbut lodhjen dhe përpjekjet e tyre të përditshme. Në tetor të vitit 2025, 31-vjeçarja Behare Aliu nga Fushë Kosova, po kujdesej për nënën e saj në Klinikën e Ortopedisë në QKUK. Nënës së saj i duhej një operacion i dytë, pas dështimit të ndërhyrjes së mëparshme, dhe Beharja e kalonte kohën kryesisht ulur në karrigen me rrota të pacientëve. Për gjumë, ajo merrte hua një karrige druri nga dhoma e infermierëve, të cilën duhej ta dorëzonte çdo mëngjes në orën 6.

Behare Aliu, tetor 2025

Kjo ishte hera e dytë që ajo qëndronte ditë e natë në të njëjtin repart. Edhe në vitin 2025 kishte kaluar dhjetë ditë aty, në kushte që i përshkruan si të vështira dhe rraskapitëse.

Si fëmijë i vetëm, përgjegjësia i bie e gjitha asaj. “Krejt përgjegjësia është mbi mua. Nëse duhet të dal pak jashtë spitalit, duhet të gjej dikë që të më zëvendësojë. Përndryshe është e pamundur,” thotë ajo.

Qëndrimi në spital ka edhe kosto ekonomike. Beharja menaxhon një biznes të vogël me dekore, i cili ndalet sa herë që ajo është në QKUK. Përveç mungesës së të ardhurave, çdo ditë sjell shpenzime shtesë për ushqim, barna dhe materiale mjekësore.

Këto sfida lidhen ngushtë me realitetin e ngarkesës së stafit shëndetësor.

Në kuadër të hulumtimit nuk është dhënë leja për t’i intervistuar zyrtarisht stafin e infermierëve por gjatë bisedave private disa prej tyre kanë pohuar se “një infermiere mund të ketë deri në 20 pacientë”. Një infermiere në Klinikën e Ortopedisë, që foli në kushte anonimiteti, thotë se mungesa e stafit është arsyeja kryesore pse familjarët janë bërë të domosdoshëm.

“Për besë jemi shumë të mbingarkuara. Normal që duhet të ketë shoqërues, sepse nuk jemi mjaftueshëm staf,” thotë ajo.

Këto pretendime i mohon drejtori i Klinikës së Ortopedisë, dr. Xhavid Gashi.

“Është e pamundur që një infermiere të kujdeset për 10 apo 20 pacientë.” Sipas tij, gjatë natës janë rreth shtatë infermierë në detyrë, ndërsa gjatë ditës rreth 65, pa përfshirë bllokun operativ dhe ambulancat specialistike.

Nexhmije Gori nga Oda e Infermierëve të Kosovës thotë se raporti infermier–pacient është i pabalancuar në disa klinika dhe se mungesa e stafit, e shkaktuar nga vendet e pakta të punës dhe emigrimi i infermierëve jashtë vendit, e bën të domosdoshme praninë e familjarëve.

“Kujdesi ndaj pacientit duhet të jetë përgjegjësi institucionale dhe të ofrohet nga personel i trajnuar,” thekson ajo.

Gori konsideron që kjo praktikë krijon stres, lodhje dhe pasiguri tek përcjellësit, ndërsa për pacientët mund të ndikojë në trajtim jo të standardizuar.

Ky realitet, sipas menaxhmentit të QKUK-së, lidhet edhe me organizimin e stafit dhe kufizimet buxhetore. Zyrtarja për informim e Zyrës së Drejtorit të QKUK-së, Mirlinda Qyqalla, ka deklaruar se aktualisht në QKUK janë të punësuar 815 infermierë me shkollë të mesme, 1,054 infermierë me nivel Bachelor dhe 227 kryeinfermierë.

Ajo thekson se institucioni ka hapur konkurs për vende të reja pune, përkatësisht 90 infermierë me Bachelor dhe 10 me shkollë të mesme, por shton se “numri i infermierëve rritet në varësi të mundësive buxhetore”.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, menaxhimi i spitaleve rajonale dhe i klinikave në QKUK, duke përfshirë edhe organizimin e stafit, është përgjegjësi e SHSKUK-së, si një organizatë buxhetore e pavarur.

“Menaxhimi i spitaleve rajonale dhe i klinikave në QKUK, duke përfshirë këtu edhe stafin, bëhet nga vetë SHSKUK-ja. Për pyetje lidhur me staf dhe organizimin e punës, ju lutemi t’i drejtoheni SHSKUK-së,” thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Sipas Qyqallës, “nuk ka një standard të unifikuar për raportin mjek–infermier”, ndërsa raporti infermier–pacient “ndryshon në varësi të karakterit të shërbimit të klinikës, ngarkesës së punës dhe rasteve të rënda”.

Për Shoqatën për të Drejtat e Pacientëve, ky realitet është pasojë e drejtpërdrejtë e mungesave në sistem. Besim Kodra nga kjo shoqatë thotë se kujdesi bazë ndaj pacientëve është detyrim ligjor dhe institucional i spitaleve publike dhe nuk duhet të varet nga prania e familjarëve. Sipas tij, në momentin kur shoqëruesit detyrohen të kryejnë detyra si ushqyerja, higjiena apo mbikëqyrja e pacientëve, ka zhvendosje të përgjegjësisë nga institucioni te familja dhe shkelje të të drejtave të pacientëve.

“Pacienti duhet të marrë kujdes të plotë dhe dinjitoz vetëm për faktin se është pacient, jo sepse ka familjarë që mund të mbulojnë mungesat e sistemit,” thotë Kodra.

Ai paralajmëron se kjo praktikë krijon rrezik serioz për pacientët, pasi personat pa trajnim profesional mund të shkaktojnë pa dashje përkeqësim të gjendjes shëndetësore apo infeksione, ndërsa njëkohësisht cenon barazinë në qasje për pacientët që nuk kanë mbështetje familjare.

Një shembull i kundërt vjen nga Gjermania. Dr. Arzen Balidemaj, specialist i ortopedisë dhe traumatologjisë në St. Georg Klinikum Eisenach, thotë se në atë spital “për çdo pacient ekziston një plan kujdesi (Pflegeplan), ku përcaktohen të gjitha nevojat dhe procedurat ditore.” Ai shpjegon se në repartet normale, gjatë ditës një infermier kujdeset për 5 deri në 10 pacientë ndërsa gjatë natës për 15 deri në 25. Në kujdesin intensiv raporti është shumë më i ngushtë, një infermier për dy pacientë, ndonjëherë edhe 1:1, në varësi të gjendjes së pacientit.

Sipas Dr. Balidemaj, kjo strukturë bën të mundur që çdo nevojë e pacientit: ushqimi, higjiena, administrimi i barnave dhe transporti brenda spitalit të mbulohet nga vetë spitali, pa pasur nevojë që familjarët të qëndrojnë me ta gjatë gjithë ditës.

“Nuk është e zakonshme që pacientët në Gjermani të kenë familjarë që qëndrojnë me ta gjatë shtrimit. Vizitat lejohen në orare të caktuara, por familjarët rrallëherë qëndrojnë gjatë gjithë ditës apo natës,” shpjegon ai.

Eksperienca e Behares dhe të tjerëve pasqyron një problem se si mungesa e infermierëve rritë ngarkesën për familjarët dhe ndikimin e tyre në kujdesin ndaj pacientit.

Në këtë kontekst, studimet tregojnë se kur infermierët janë të pamjaftueshëm, familjarët shpesh përfshihen në detyra që zakonisht i kryen stafi profesional, gjë që mund të çojë në lodhje, stres dhe përkeqësim të shëndetit fizik dhe mendor të kujdestarit.

Roli i familjarëve pranë pacientëve, sipas studimit, sidomos në klinikat ortopedike dhe kirurgjikale, shpesh nuk është vetëm emocional, por edhe fizikisht kërkues.

Studimi i botuar në Journal of Clinical Medicine thekson se “roli i kujdestarit mund të çojë në një përkeqësim të gjendjes fizike, kognitive dhe mendore” për familjarët që mbajnë këtë barrë. Një studim tjetër i realizuar në Belgjikë, tregoi se rritja e orëve të kujdesit infermieror (NHPPD) në njësi mjekësore dhe kirurgjikale lidhej me ulje të ndjeshme të vdekshmërisë së pacientëve, duke treguar ndikimin e drejtpërdrejtë të stafimit mbi cilësinë e kujdesit. Këto të dhëna nënvizojnë rëndësinë e numrit të stafit jo vetëm për sigurinë e pacientëve, por edhe për funksionimin e përgjithshëm të spitalit.

Më tej, studimi mbi orët e kujdesit infermieror (NHPPD) “The impact of the nursing hours per patient day (NHPPD) staffing method on patient outcomes: a retrospective analysis of patient and staffing data”, tregon se kur këto orë janë të pamjaftueshme, familjarët shpesh mbeten të detyruar të ndihmojnë pacientët në ushqyerje, lëvizje dhe higjienë, gjë që mund të krijojë lodhje, stres dhe probleme shëndetësore për ta.

Beharja vuan nga artriti prej pesë vitesh dhe merr terapi të rregullt edhe pse mjekët i ndalojnë lodhjen, ajo thotë se shpesh i duhet të kryejë detyra që normalisht i takojnë stafit mjekësor, duke përfshirë ndihmën fizike gjatë lëvizjes ose ushqimit të nënës.

Ajo e përshkruan çdo ditë në spital si të ngarkuar dhe të paorganizuar. Zgjimi i hershëm për shkak të vizitave mjekësore, mungesa e një vendi për të pushuar dhe shqetësimi i vazhdueshëm për nënën e kanë bërë qëndrimin e saj të lodhshëm. Për më tepër, ajo thotë se për çdo nevojë duhet të dalë jashtë për të blerë ushqim apo ilaçe, gjë që shpesh e lë nënën pa kujdes për disa minuta.

Duke folur për të ardhmen, ajo shpreh shqetësimin e saj: “Ishalla fëmija im kurrë s’detyrohet me u kujdesë për mua nëpër këto kushte. Ma mirë Zoti ma merr shpirtin se me e pa vajzën teme në spitalet tona.”

Artikulli paraprakNdërhyrja e hershme gjuhësore ndihmon shumicën e fëmijëve jo të folur me autizëm
Artikulli i rradhës Terapia me dritë të kuqe mund të mbrojë futbollistët nga dëmtimet e trurit

Ju sugjerojmë

Shënohet viktima e dytë nga moti i keq në jug: Gjendet i mbytur peshkatari në afërsi të ishujve të Ksamilit

22/07/2026 Lajme

Komuna e Mitrovicës së Jugut ndan 74 mijë euro subvencione për barna dhe trajtime mjekësore për 639 qytetarë

22/07/2026 Lajme

Mbi 7 mijë fëmijë u vaksinuan kundër fruthit në Prishtinë gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit

22/07/2026 Lajme

IKSHPK del me rekomandime për mbrojtje nga stuhitë dhe breshëri

22/07/2026 Lajme

Çka duhet të bëjnë qytetarët në rast të stuhive? – flet eksperti i emergjencave

22/07/2026 Lajme

Azemi: Punëtorët në Kosovë po i ruan vetëm Zoti, institucionet nuk po bëjnë as minimumin për sigurinë në punë

22/07/2026 Lajme
Na ndiqni
  • Facebook
  • Twitter
  • Instagram
  • YouTube
Rreth nesh
Rreth nesh

Gazeta Shneta është produkt medial që i kushtohet vetëm shëndetësisë.

Këshillat mjekësore të postuara nga Gazeta Shneta janë të natyrës edukative.

Kontakt

Pronari i medias: Bujar Vitija

Redaktore: Diana Basholli

Email: [email protected]

Adresa: Rr. Vicianum, Prishtinë, pn.

Marketing

Email: [email protected]

Tel: +383 44 701 781

Përmbajtja

Gazeta Shneta është e hapur ndaj partnerëve të marketingut.

Linqe

Privacy Policy

Facebook X (Twitter) Instagram YouTube
© 2026 Gazeta Shneta

Shkruani fjalën dhe klikoni Search/Enter për të kërkuar. Klikoni X për ta anuluar.