Numri më i madh i pacientëve në Klinikën e Pediatrisë në QKUK, janë foshnjat 1 muaj deri 1 vjeç. Mjekja Arbnore Batalli-Këpuska ka dhënë këshilla se si të parandalohen viruset te fëmijët
Klinika e Pediatrisë në QKUK është duke pranuar fluks të madh të pacientëve si pasojë e viruseve. Rreth 100 pacientë pranohen çdo ditë dhe numri më i madh i tyre i takojnë moshave të fëmijëve 1 muaj deri 1 vjeç, shkruan Gazeta Shneta.
Dr. Arbnore Batalli-Këpuska ka bërë të ditur se virozat më së shumti janë duke atakuar rrugët e sipërme dhe të poshtme të frymëmarrjes.
“Muajt e ftohtë të vitit dhe temperaturat plus në këtë sezon që nuk janë normale dhe ndotja e lartë e ajrit, janë duke shkaktuar më së shumti virozat”, ka deklaruar Batalli-Këpuska.
Ajo ka këshilluar prindërit që të ndërmarrin disa veprime për të parandaluar prekjen e fëmijëve nga këto viruse.
“Prindërit nuk duhet t’i lënë fëmijët në ambiente të mbyllura ku mund të kenë kontakte me shumë njerëz ku virusi mund të bartet nga njëri te tjetri. Përdorimi i drejtë i ushqimit, pemët, perimet dhe kontakti sa më i vogël me bebe të vogla sepse virusi më së shumti ka atakuar prej 1 muaj deri 1 vit”, ka thënë mjekja.
Doktoresha iu ka bërë apel edhe Qendrave Mjekësore Familjare që të mos referojnë rastet e lehta në Pediatri, pasi kjo klinikë po përballet me mungesë të shtretërve ku po detyrohen që në një shtrat t’i vendosin nga 2 pacientë.
Gjendje e njëjtë është edhe në repartin e Intensivës në Pediatri, ku viruset kanë prekur edhe fëmijët të cilët janë me sëmundje të ndryshme.
Deri më tani nuk ka ndonjë rast në gjendje të rëndë, megjithëse ka fëmijë të sëmurë nga zemra dhe viruset kanë shkaktuar komplikime të tjera. /Gazeta Shneta/