Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” ka nisur për herë të parë procesi i skriningut (testimit) neonatal për foshnjat e porsalindura, një hap i rëndësishëm në drejtim të përmirësimit të kujdesit shëndetësor për këtë kategori.
Sipas njoftimit, ky po realizohet në bashkëpunim me Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës dhe Klinikën e Neonatologjisë, duke sjellë për herë të parë në këtë institucion një procedurë thelbësore për diagnostikimin e hershëm të sëmundjeve tek të porsalindurit.
Skriningu neonatal është një procedurë mjekësore që realizohet përmes marrjes së disa pikave të gjakut nga foshnja, zakonisht në pjesën e thembrës, menjëherë pas lindjes. Përmes këtij testimi bëhet e mundur identifikimi i hershëm i sëmundjeve të lindura metabolike dhe gjenetike, para se ato të shfaqin simptoma klinike.
Qëllimi kryesor i këtij procesi është diagnostikimi në kohë, në mënyrë që foshnjat të marrin trajtimin e nevojshëm sa më herët, duke parandaluar komplikime të rënda dhe pasoja afatgjata në shëndet.
Për të parë nga afër nisjen e këtij shërbimi në repartin e Neonatologjisë, të pranishëm ishin drejtori ekzekutiv i spitalit, Gëzim Berisha, si dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit mjekësor, Qenan Çabra. Ata u informuan nga shefi i shërbimit të Neonatologjisë, Agim Sherifi, se mostrat e para tashmë janë marrë tek disa foshnje dhe se zbatimi i projektit ka nisur me sukses./Gazeta Shneta/




