Franca ka vendosur të largojë platformën kombëtare të të dhënave shëndetësore nga shërbimet cloud të Microsoft dhe ta transferojë atë te kompania franceze
Scaleway, në një lëvizje që synon forcimin e kontrollit dhe sigurisë mbi të dhënat sensitive të qytetarëve.
Vendimi vjen pas disa vitesh debat dhe shqetësimesh për privatësinë, sigurinë dhe kontrollin ligjor të të dhënave.
Platforma e njohur si Health Data Hub përmban informacione shëndetësore për miliona qytetarë francezë dhe ishte ndërtuar për të mbështetur kërkimet shkencore përmes analizave të të dhënave në shkallë të gjerë, shkruan Euronews transmeton Gazeta Shneta.
Që nga viti 2019, infrastruktura cloud e platformës ishte menaxhuar nga Microsoft Azure, por autoritetet franceze ngritën shqetësime se, edhe pse të dhënat ruheshin në territorin francez, ato mund të ishin të aksesueshme nga autoritetet amerikane sipas legjislacionit të SHBA-së.
Këto shqetësime u theksuan edhe nga autoriteti francez për mbrojtjen e të dhënave, National Commission on Informatics and Liberty, i cili kishte dhënë një opinion kritik për projektin.
Në këtë kontekst, qeveria franceze ka vendosur që deri në fund të vitit të tërhiqet nga përdorimi i shërbimeve të Microsoft për këtë platformë dhe ta zhvendosë atë te Scaleway, një kompani vendore në pronësi të grupit telekomunikues Iliad.
Ky vendim është pjesë e një strategjie më të gjerë evropiane për të reduktuar varësinë nga kompanitë e mëdha teknologjike amerikane dhe për të garantuar të ashtuquajturin “sovranitet digjital”, sidomos për të dhëna të ndjeshme si ato shëndetësore.
Sipas autoriteteve franceze, sistemi i ri do të ruajë të dhënat shëndetësore të dhjetëra milionë qytetarëve dhe pritet të bëhet plotësisht funksional mes fundit të vitit 2026 dhe fillimit të vitit 2027.
Lëvizje të ngjashme po ndërmerren edhe në vende të tjera evropiane. Në Gjermani, landi Schleswig-Holstein ka nisur largimin e rreth 30 mijë stacioneve të punës nga mjetet e Microsoft, ndërsa në Danimarkë një pjesë e administratës publike po kalon drejt paketave open-source si LibreOffice.
Ndërkohë, edhe Komisioni Evropian ka forcuar këtë qasje duke akorduar një kontratë cloud prej 180 milionë eurosh për një konsorcium evropian që përfshin Scaleway, OVHcloud dhe STACKIT./Gazeta Shneta/


