Drejtori i SHSKUK-së Elvir Azizi gjatë raportimit në Bordin Drejtues ditën e djeshme ka thënë se furnizimi me barna nga Lista Esenciale është 68 për qind. Në këtë mbledhje është diskutuar edhe kërkesa për ndryshimin e përbërjes së anëtarëve të Komitetit Kyç për revidimin e Listës Esenciale.
Azizi ka thënë se aktualisht furnizimi me barna në njësitë përbërëse të SHSKUK-së është 68 për qind, duke përfshirë edhe alternativat e produkteve disa prej të cilave nuk janë të plota.
“Për momentin furnizimi është 68 për qind prej produkteve të planifikuara të Listës Esenciale, nëse llogariten si të plota edhe alternativat”, ka deklaruar Azizi.
“Historikisht për 221 artikuj nuk ka pasur oferta nga operatorët ekonomik për shkak të çmimit të ulët. Tashmë jemi duke u munduar që të ulim disa kritere për këto produkte dhe t’i fusim në një lot. 90 për qind e produkteve vitale janë të kontraktuara nga SHSKUK”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se të pa kontraktuara janë 316 produkte prej të cilave 95 produkte janë pa Autorizim Marketing, ndërsa 38 produkte të reja që janë futur në LEB janë në fazën e prokurimit.
Për produktet pa AM, Azizi është pyetur nga anëtari i Bordit Dren Boshnjaku se si do të bëhet zgjidhja për furnizimin e tyre. Azizi ka thënë se janë në diskutime me Ministrinë e Shëndetësisë për të ndryshuar përbërjen e Komitetit Kyç për revidimin e Listës Esenciale dhe propozimi nga MSh sipas tij është që produktet pa AM të zëvendësohen me produkte tjera që përmbajnë AM.
“Shpresoj që MSh të bëj ndryshime në përbërjen e Komitetit Kyç sepse jo gjithmonë nevojat e planifikuara të klinikave ose spitaleve janë pjesë përbërëse e këtij komiteti. Është përgjegjësia e atyre që janë përgjegjës për planifikim dhe atyre që janë pjesë e komitetit. Kemi diskutuar për të rritur përgjegjësinë e njerëzve që janë aty dhe revidimin e LEB-së. Është edhe një propozim nga MSh është që produktet pa Autorizim Marketing të zëvendësohen me ato që kanë AM, gjatë revidimit të LEB-së, ose të përdoret ndonjë metodë tjetër e ligjshme për futjen e këtyre barnave”, ka deklaruar Azizi.
Për ndryshimin e përbërjes së Komitetit Kyç, kryesuesi i Bordit të SHSKUK-së Naim Bardiqi i cili njëherit e mban edhe pozitën e Sekretarit të MSh-së, ka thënë se në këtë komitet duhet të jenë udhëheqësit e njësive shëndetësore në kuadër të SHSKUK-së që ofrojnë shërbime shëndetësore, përgjegjësitë për farmaci dhe depoja qendrore, si dhe një përgjegjës për AM nga AKPPM.
“Mbetet detyrë e Sekretarit që t’i rekomandojë ministrit ndryshimin e përbërjes së komitetit dhe rekomandim për revidimin e LEB dhe materialit shpenzues”, ka thënë Bardiqi. /Gazeta Shneta/




