Drejtorët dhe shefat e administratës së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës janë vënë në aksion për të përkrahur partinë e tyre, Partinë Demokratike të Kosovës për zgjedhjet e 6 tetorit.
Shumë prej tyre janë angazhuar që të shpërndajnë postimet e partisë, kandidatit për kryeministër Kadri Veselit, ose postimet politike të ish-ministrit të shëndetësisë Uran Ismaili, shkruan Gazeta Shneta.
Disa prej tyre madje janë edhe zyrtarisht anëtar ose zyrtar të PDK-së të cilët mbajnë poste nëpër degët e qyteteve prej nga vijnë. Disa të tjerë janë punësuar në QKUK pas ardhjes së Ismailit në postin e ministrit të shëndetësisë sikurse janë Visar Islamaj nga PDK e Prizrenit, Dardan Parduzi, Sami Tahiraj ose anëtari i Bordit të SHSKUK-së Ardian Ferizi.
Përkundër këtyre punësimeve, Ismaili dhe Veseli kanë pretenduar vazhdimisht se janë duke luftuar korrupsionin dhe nepotizmin.
Në listën e kandidatëve për deputetë të PDK-së ka edhe drejtorë të klinikave sikurse janë Dr Ilir Kurtishi, drejtor në Onkologji; Dr. Fakir Spahiu, drejtor në Klinikën e Mjekësisë Nuklerare dhe specialistë tjerë.
PDK është kritikuar ashpër edhe nga shoqëria civile për shfrytëzimin e pacientëve për fushatë politike. Një gjë e tillë ndodhi në ceremoninë e nënshkrimit të Listës Esenciale ku mori pjesë edhe pacientja e mitur Y.L. /Gazeta Shneta/