Gazeta Shneta dhe Klinika e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në QKUK kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për fushatën vetëdijësuese për shëndetin e grave
Në kuadër të veprimtarisë dhe bashkëpunimeve për sensibilizimin dhe vetëdijësimin e kategorive të ndryshme të pacientëve për shëndetin e tyre, Gazeta Shneta do të ndërmarr edhe një fushatë për shëndetin e grave.
Fushata kryesisht do të orientohet me artikuj që përfshijnë tema të ndryshme në lidhje me problemet shëndetësore, simptomat e tyre, diagnostikimi dhe trajtimi i tyre. Fokus i veçantë do t’i kushtohet shëndetit riprodhues, infertilitetit, procedurave të abortit, gjidhënies dhe sëmundjeve malinje.
Duke qenë se Klinika e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në QKUK është një nga njësitë me volumin më të madh të punës dhe me fluks të konsiderueshëm të pacienteve, kjo klinikë do të bashkëpunojë dhe kontribuojë në fushatën vetëdijësuese.
Specialistët e klinikës, gjinekologët, do të përgatisin artikuj me tema të ndryshme ku shpjegojnë shkaqet e sëmundjeve si dhe format për t’i evituar apo mbrojtur nga to. Ky kontribut i mjekëve të QKUK-së do të bëhet pas nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet kryeredaktorit të Gazetës Shneta Bujar Vitija dhe drejtorit të Klinikës së Gjinekologjisë Dr. Jakup Ismaili me autorizimin e Zyrës për Media të SHSKUK-së.
Kjo marrëveshje bashkëpunimi pa implikime financiare e Gazetës Shneta vjen pas nënshkrimit të memorandumit edhe me Odën e Mjekëve të Kosovës për promovimin dhe sponsorizimin medial të Kongresit dhe Panairit të Parë Mjekësor i cili do të mbahet në Prishtinë më datën 18-19 tetor.