Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës Dr. Pleurat Sejdiu dhe kryeredaktori i Gazetës Shneta Bujar Vitija, kanë nënshkruar sot një memorandum bashkëpunimi me qëllim promovimin e Kongresit dhe Panairit Mjekësor i cili do të organizohet nga OMK më 18-19 tetor 2019.
Në këtë memorandum është paraparë që Gazeta Shneta të ndihmojë OMK-në si bartëse e organizimit të Kongresit dhe Panairit, përmes infrastrukturës mediale në kuadër të veprimtarisë gazetareske.
Gazeta do të publikojë në ueb faqen e saj dhe faqen zyrtare në rrjetet sociale, njoftimet lidhur me eventin e organizuar nga Oda e Mjekëve. Ndërsa OMK do të siguroj të gjitha informatat dhe të dhënat e nevojshme. Marrëveshja nuk determinon obligime financiare për asnjërën palë, thuhet në memorandum.
Kryetari i OMK-së Dr. Pleurat Sejdiu ka deklaruar se memorandumi me Gazetën Shneta, sikurse edhe bashkëpunimet me mediat tjera, janë në interes të të gjithë anëtarëve të Odës për promovimin e këtij institucioni. “Kongresi dhe Panairi janë një nga aktivitetet e shumta që kemi këtë vit dhe në të pritet të marrin pjesë mijëra profesionistë ndërkombëtar dhe vendor. Prandaj ndihma e mediave është e mirëseardhur”, ka deklaruar Sejdiu.
Në anën tjetër kryeredaktori dhe gazetari Bujar Vitija është shprehur i kënaqur me këtë bashkëpunim. “Gazeta Shneta është partner i profesionistëve shëndetësor për gati tri vite dhe ky memorandum është një hap përpara në promovimin e punës, aktiviteteve dhe sukseseve të mjekëve”, ka deklaruar Vitija.
Kongresi dhe Panairi i Mjekësisë do të mbahet në datat 18 dhe 19 tetor në Prishtinë. Përveç prezantimeve të mjekëve ndërkombëtar dhe vendor, do të ketë edhe disa punëtori. Në këtë ngjarje pritet të marrin pjesë mijëra profesionistë të fushave të ndryshme. /Gazeta Shneta/