Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar gjashtë raste të dhunës në familje në qytete të ndryshme të vendit.
Në Obiliq, një çift që bashkëjetonte është përfshirë në një konflikt fizik pas një mosmarrëveshjeje. Të dy kanë marrë trajtim mjekësor.
Sipas policisë, gruaja kishte urdhër mbrojtës ndaj burrit, por pa njoftuar autoritetet kishin vendosur të jetonin sërish bashkë. Rasti është iniciuar dhe të dy janë liruar në procedurë të rregullt.
Në Prishtinë, është raportuar një rast dhune ku një burrë ka sulmuar fizikisht bashkëshorten dhe vajzën e tij. Viktimave u është ofruar ndihmë mjekësore, ndërsa i dyshuari është në arrati dhe po kërkohet nga policia.
Një tjetër rast është regjistruar në Shtërpcë, ku pas një mosmarrëveshjeje ndërmjet një burri dhe një gruaje, të dy janë shoqëruar në stacionin policor dhe më pas janë liruar me vendim të prokurorit.
Në Prizren, një person është arrestuar pasi kishte ushtruar dhunë psikike ndaj babait të tij. Gjatë arrestimit, i dyshuari ka sulmuar zyrtarët policorë dhe ka shkaktuar dëme materiale në stacionin policor. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.
Në Klinë, një burrë është arrestuar pasi kishte sulmuar fizikisht motrën e tij. Pas trajtimit mjekësor, viktima është sistemuara në strehimore, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërsa në Gjakovë, janë arrestuar dy vëllezër që ishin përfshirë në një përleshje mes tyre. Me vendim të prokurorit, të dy janë dërguar në mbajtje.




