Gjinekologët i kanë reaguar hoxhës Shefqet Krasniqi i cili ka deklaruar se burrat nuk duhet të specializojnë në gjinekologji për shkak të natyrës së patologjive që i trajtojnë.
Krasniqi në një ligjëratë të tij në një televizion është shprehur i habitur se si burrat specializojnë në gjinekologji. “Qysh me shku mashkulli me u specializue në gjinekologji, ku ku ku o Zot i madh. Burri me u bo gjinekolog. A krejt adresat e mjekësisë janë mbyll a?!”, dëgjohet Krasniqi duke folur në një intervistë, shkruan Gazeta Shneta.
Por krejt normale dhe humane po e konsideron specializimin në gjinekologji drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë Dr. Jakup Ismaili. Ai thotë se gjinekologjia është pjesë e shkencës së mjekësisë e cila shpëton jetë dhe nuk duhet paragjykuar.
“Gjinekologjia nuk është profesion që përcaktohet nga gjinia, por gjinekologjia është shkencë mjekësore që nuk njeh gjini. Mjekësia është shkencë që shpëton jetë dhe nuk duhet paragjykuar nga askush për asgjë”, ka thënë Ismaili.
Gjinekologu i ri Dr. Dardan Baftiu thotë se fatkeqësisht puna e tyre interpretohet në disa raste si trajtim i vaginës si objekt seksual.
“Fatkeqësisht punën tonë e interpretojnë sikur merremi me vaginen si objekt seksual kurse Gjinekologjia është fushë shumë e gjerë. Puna e gjinekologut është të merret me patologjitë e organeve riprodhuese femërore, trajtimin e shumë prej tyre, bashke me specializimin tjetër (Obstetrike) të merret edhe me përcjelljen e shtatzënisë dhe të kemi pasardhës të shëndetshëm”, ka deklaruar Baftiu. /Gazeta Shneta/