Gjykata Themelore në Prishtinë ka miratuar kërkesën e Prokurorisë dhe ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit B.K., i dyshuar për shpërthimin pranë veturës së ushtruesit të detyrës së drejtorit të QKUK-së, Osman Hajdari.
Gjykata ka bërë të ditur se vendimi është marrë për shkak të dyshimeve të bazuara se i dyshuari ka kryer veprat penale: përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm, zjarrvënie dhe armëmbajtje pa leje, transmeton Gazeta Shneta.
Në njoftim thuhet gjithashtu se vendosja e eksplozivit në veturën e një personi tjetër, në një zonë me qarkullim të madh të njerëzve dhe pa ndonjë motiv personal – por vetëm për pagesë – e bën të pandehurin B.K. një rrezik potencial për sigurinë publike, si dhe për përsëritjen e kësaj apo veprave të tjera penale edhe më të rënda.
Njoftimi i plotë nga Gjykata Themelore në Prishtinë:
Gjykata ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit B.K. për shkak të veprave penale Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm, Zjarrvënia dhe Armëmbajtje pa leje
Prishtinë, 10 Maj 2025 – Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit B.K., në kohëzgjatje prej një (1) muaji, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm, Zjarrvënia dhe veprën penale Armëmbajtje pa leje.
Gjyqtari i procedurës paraprake, pas seancës dëgjimore vlerësoj se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin B.K., pasi ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale të lartëpërmednura.
Gjykata konstatoj se në këtë fazë të procedurës ekzistojnë rrethana që tregojnë se ekziston rreziku i ikjes së tij, ku përdorimi i eksplozivit në një zonë me qarkullim të madh të njerëzve, përbën rrezik të lartë për jetën e njerëzve dhe sigurinë publike, mund të nxitet motivi tek i pandehuri për tu arratisur nëse lihet në liri. Gjykata vlerësoj se nga natyra dhe mënyra e kryerjes së veprave penale, rezulton se i pandehuri B.K. ka vepruar në mënyrë të planifikuar, të qëllimshme dhe me motiv financiar, gjë që e bënë të dukshëm rrezikun e përsëritjes së veprave penale. Veprime të tilla, të vënies së eksplozivit në veturën e personit tjetër, në zona me qarkullim të dendur të njerëzve, pa motive personale vetëm me motive të pagesës, e bëjnë të pandehurin B.K. potencialisht të rrezikshëm për sigurinë e përgjithshme dhe për përsëritjen e këtyre veprave penale apo veprave penale më të rënda, andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme, për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.




