Gjykata Komerciale e Kosovës ka refuzuar në tërësi si të pabazuar prapësimin e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), të ushtruar kundër urdhrit përmbarimor të lëshuar në favor të kompanisë “Redoni Hm” SH.P.K.
Vendimi është marrë më 11 dhjetor 2025 nga Dhomat e Shkallës së Parë – Departamenti për Çështje Ekonomike, nën kryesimin e gjyqtares Verona Dibra, përcjell Gazeta Shneta.
Me këtë aktvendim, gjykata ka lënë në fuqi Urdhrin Përmbarimor P.nr.661/25 të datës 18 shtator 2025, të lëshuar nga Përmbaruesi Privat Driton Govori, i cili parashikon përmbarimin e një borxhi në vlerë prej 28,617.09 euro, me kamatë ligjore prej 8 për qind, si dhe shpenzimet e procedurës përmbarimore.
Sipas aktvendimit, përmbarimi është lejuar në bazë të një fature të konsideruar si “dokument i besueshëm”, e cila i përmbush të gjitha kushtet ligjore për realizimin e kërkesës monetare. Gjykata ka konstatuar se fatura është pranuar në mënyrë të rregullt nga SHSKUK-ja, mban vulën e protokollimit dhe nuk është kontestuar në kohën e pranimit.
SHSKUK-ja kishte pretenduar se nuk ka detyrim ndaj kreditorit, duke argumentuar se shuma e faturës ishte paguar pothuajse në tërësi dhe se pjesa e mbetur përfaqësonte ndëshkime për vonesa në furnizim me barna. Megjithatë, gjykata ka vlerësuar se këto pretendime përbëjnë çështje që duhet të trajtohen në procedurë kontestimore dhe nuk përbëjnë bazë ligjore për anulimin e urdhrit përmbarimor.
Në vendim theksohet gjithashtu se SHSKUK-ja është e detyruar t’i paguajë kreditorit shumën prej 208 eurosh në emër të shpenzimeve për përpilimin e përgjigjes në prapësim, brenda shtatë ditëve nga plotfuqishmëria e aktvendimit. Palët kanë të drejtë ankese në afat prej shtatë ditësh në Dhomat e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale të Kosovës.
Aktvendimin e plotë mund ta gjeni KËTU. /Gazeta Shneta/




