Gjykata Themelore në Ferizaj ka shpallur aktgjykim lirues ndaj ish-ushtruesit të detyrës së drejtorit të Spitalit në Ferizaj, Halit Gërbeshi, i akuzuar për korrupsion.
Aktgjykimi ndaj Gërbeshit u shpall të martën, nga kryetari i trupit gjykues, Habib Zeqiri, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Gjykatësi Zeqiri tha se i akuzuari Gërbeshi lirohet nga të dy pikat e aktakuzës, ngase nuk është vërtetuar se i njëjti ka kryer veprat penale për të cilat ngarkohej.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, nga shtatori 2021 e deri në dhjetor 2021, në Ferizaj, i pandehuri Halit Gërbeshi, në cilësinë e personit zyrtar, ushtrues i detyrës së drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar, në vazhdimësi dhe me dashje, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete.
Aktakuza thotë se i njëjti, në pompën e derivateve “HIB Petrol” e cila gjendet në Ferizaj, shtatë herë, ka furnizuar me derivate në kuadër të tenderit të spitalit, veturën e tij private të markës HUNDAY, pa u pajisur me vendim nga ana e Bordit Drejtues të SHSKUK-së dhe në këtë mënyrë i ka shkaktuar dëm material buxhetit të Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj në shumë prej 403 euro e 97 centë.
Me çka, ngarkohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal.
Tutje thuhet se i njëjti, në muajin dhjetor të vitit 2021, në Spitalin e Përgjithshëm të Ferizajt, si person zyrtar, në pozitën e ushhtruesit të detyrës së srejtorit të Spitalit, me dashje dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, ka ushtruar ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e personit zyrtar.
Aktakuza thotë se me ndërmarrjen e këtij veprimi të paligjshëm, i njëjti ka furnizuar me derivate veturën e tij private të markës HUNDAY duke i shkaktuar dëm material buxhetit të Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj në shumë prej 403 euro e 97 centë.
Me çka, ngarkohej se ka kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424, paragrafi 1 i Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi




