Më shumë se gjysma e vendeve të botës do të jenë në rrezik të lartë të shpërthimit të fruthit deri në fund të vitit, paralajmëroi Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), duke u kërkuar qeverive të ndërmarrin veprime urgjente për të mbrojtur fëmijët.
Fruthi ka qenë në rritje në shumicën e rajoneve, kryesisht për shkak të vaksinimeve të humbura gjatë pandemisë COVID-19, kur sistemet shëndetësore ishin të mbingarkuara, shkruan burimi Health News përcjell Gazeta Shneta.
“Ajo për të cilën jemi të shqetësuar është këtë vit, 2024, ne kemi këto boshllëqe të mëdha në programet tona të imunizimit dhe nëse nuk i plotësojmë ato me të vërtetë shpejt me vaksinën, fruthi thjesht do të hyjë në atë boshllëk,” tha Natasha Crowcroft, një këshilltare e lartë teknike për fruthin dhe rubeolën në OBSH.
Crowcroft citoi të dhëna që sugjerojnë se më shumë se gjysma e të gjitha vendeve në botë do të jenë në rrezik të lartë ose shumë të lartë të shpërthimit të fruthit deri në fund të këtij viti.
Fruthi ishte zhdukur në Shtetet e Bashkuara në vitin 2000. Megjithatë, Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) njoftuan punonjësit e kujdesit shëndetësor muajin e kaluar për rritjen e rasteve, kryesisht midis fëmijëve dhe adoleshentëve që nuk morën vaksinën kundër fruthit.
Në nivel global, rastet e fruthit u rritën me 79% nga viti 2022, me më shumë se 306,000 raste të raportuara vitin e kaluar, sipas OBSH-së. Ndërkohë, vdekjet u rritën me 43% në vitin 2022, duke tejkaluar 130,000 vdekje për shkak të sëmundjes.
Fruthi është një sëmundje virale shumë infektive që përhapet përmes ajrit, kollitjes ose teshtitjes. Tek disa infeksioni mund të shkaktojë komplikime dhe madje edhe vdekje.
Mes tjerash, fruthi mund të jetë i rëndë në të gjitha grupmoshat, por këto popullata janë në rrezik më të lartë të zhvillimit të komplikimeve:
– Fëmijët nën 5 vjeç.
– Të rriturit mbi 20 vjeç.
– Gratë shtatzëna.
– Individët me imunitet të kompromentuar.
Komplikimet e zakonshme të fruthit përfshijnë infeksionet e veshit, diarrenë, pneumoninë, encefalitin (inflamacion të trurit) dhe vdekjen. /Gazeta Shneta/