Gjysmë-intensiva në bllokun e kirurgjisë në QKUK po udhëhiqet nga infermieret. Ato thonë se deri më tani asnjë mjek nuk ka shkuar zyrtarisht për ta menaxhuar në cilësinë e shefit. Në këtë pozitë para disa muajsh u emëruar një kirurg, gjë që shkaktoi pakënaqësi tek anesteziologët
Në nëntor të vitit të kaluar Drejtori i SHSKUK-së emëroi në pozitën e shefit të gjysmë-intensivës një mjek kirurg. Ardhja e Dr. Shemsedin Hashanit në këtë pozitë shkaktoi mjaft pakënaqësi tek anesteziologët të cilët pretendojnë se janë specialistët e vetëm kompetent për ta udhëhequr këtë njësi.
Por aktualisht kjo njësi ka mbetur nën udhëheqjen e infermiereve. Ato kanë deklaruar se deri më tani asnjë mjek nuk është paraqitur zyrtarisht si shef i ri. Kryeinfermierja Fatmire Nuredini thotë se zyrtarisht nuk janë njoftuar asgjë, shkruan Gazeta Shneta.
“Zyrtarisht nuk jemi njoftuar dhe nuk na ka ardh asgjë. Kemi dëgjuar se do të vijë një doktor me udhëheq posintensivën, mirëpo këtu nuk ka ardhur askush zyrtarisht”, thotë ajo. “Mbikëqyrjen e pacientëve e bëjnë doktorët e anestezionit dhe mjekimit intensiv. Nëse ndonjë pacient keqësohet, për ndërrim terapie ose konsultë, i kemi edhe anesteziologët e emergjencës”, ka shtuar Nuredini.
Gazeta ka kontaktuar me Dr. Shemsedin Hashanin i cili ka konfirmuar se është ende në pozitën e shefit, por nuk ka pranuar të flas derisa kjo njësi të rinovohet ashtu siç është planifikuar nga menaxhmenti i SHSKUK-së. Për këtë çështje nuk ka pranuar të flas as drejtori i Klinikës së Anestezionit Dr. Nehat Baftiu.
Në anën tjetër kryeinfermierja Fatmire Nuredini ankohet për mungesë të stafit. Ajo thotë se vazhdimisht kanë raste të rënda, ndërsa për katër pacientët kujdeset vetëm një infermiere në ndërrim.
Familjarja B.M e cila po e shoqëron vëllanë e saj që 2 muaj e gjysmë, shprehet e kënaqur me kujdesin e infermiereve. Falënderuese është shprehur edhe M.G., bashkëshorti i së cilës ka kryer një operacion në Shkup ndërsa pas tri javësh ishte sjellë në gjysmë-intensivë.
“Që katër muaj pacienti është këtu dhe kujdesi është perfekt. As nëna fëmijën e vet që e ka bebë nuk e këqyr kështu si infermieret që kujdesen për pacientët”, ka deklaruar ajo. /Gazeta Shneta/