Grupi i grave deputete të Kuvendit të Kosovës kanë vizituar sot Klinikën e Onkologjisë në QKUK në kuadër të muajit Tetor kundër kancerit të gjirit.
Deputetet ndëgjuan kërkesat dhe shqetësimet e stafit mjekësor, pacientëve si dhe menaxhmentit të SHSKUK-së. Këta të fundit kanë informuar gratë me problemet lidhur me furnizimin me barna, si dhe shtimin e kapacitetit të mamografëve nëpër spitalet e përgjithshme.
Në anën tjetër deputetet kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të shtyrë përpara kërkesat dhe nevojat e tyre në Kuvendin e Kosovës dhe Qeveri.
Njoftimi i plotë nga SHSKUK:
Në kuadër të muajit tetor, që ndryshe njihet si muaji i luftimit të kancerit të gjirit, Grupi i Grave Deputetete, të shoqëruara nga ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, vizituan Qendrën Klinike Universitare dhe u pritën në takim nga kryesuesja e Bordit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Agreta Gecaj- Gashi, dhe drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi.
Kryetarja e Grupit të Grave Deputete, Tinka Kurti, bashkë me kryetaren e Komisionit për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës, Fatmire Mulhaxha- Kollçaku, deputetet Vlora Dumoshi, Duda Balje, Albana Bytyçi dhe drejtoreshën ekzekutive të Qendrës Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjiri “Jeta Vita”, Nafije Latifi, dëgjuan kërkesat dhe nevojat për rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore për gratë e prekura me kancer, të cilat i paraqitën drejtuesit e SHSKUK-së.
Kryesuesja e Bordit të SHSKUK-së, Gecaj- Gashi, shprehu shqetësimet e saj në lidhje me Ligjin për Prokurimin dhe kërkoi ndryshimin e tij, në mënyrë që të eleminohen të gjitha procedurat burokratike për blerjen e barnave.
Pas vizitës në Klinikën e Onkologjisë, drejtori Krasniqi theksoi domosdoshmërinë e rritjes së buxhetit për furnizimin me barna dhe material shpenzues, nevojën për rekrutim të stafit të ri, në veçanti të infermierëve, si dhe nevojat për përmirësim të infrastrukturës dhe për furnizim me pajisje mjekësore.
Gjithashtu, drejtori Krasniqi bëri të ditur se janë në pritje të mamografëve për Spitialin e Ferizajt, të Mitrovicës dhe Gjilanit, që do ta kompletonte furnizimin me këtë pajisje të të gjitha spitaleve.
Ndërkaq, ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se do të bëjnë përpjekje që të gjitha kërkesat të ngrihen në nivel institucional, ndërsa njoftoi se “Fondacioni Jahjaga” do ta pajisë me një mamograf Komunën e Kamenicës.
Duke folur për kërkesat e pacientëve dhe stafit shëndetësor, kryetarja e Grupit të Grave Deputete, Tinka Kurti, tha se ju takon që si deputetë t’i paraqesin ato dhe të ngulmojnë fort në to, deri në realizim.