Gruaja shtatzënë 29-vjeçare Besnike Beqiraj nga lagjja Mati 1 në Prishtinë, është sulmuar nga qentë endacak në mëngjesin e sotëm.
Ajo derisa po kthehej nga çerdhja ku i kishte dërguar dy fëmijët e saj, me të arritur afër shtëpisë ku jeton, u kafshua nga dhjetëra qen endacak në pjesën e poshtme të trupit, përfshirë edhe barkun ku ajo po mban fëmijën e saj.
Ajo është dërguar me urgjencë në QKUK ku po merr tretman mjekësorë. Besnikja e cila është në muajin e gjashtë të shtatzënisë, ka treguar për Gazetën Objektiv momentin se kur është sulmuar nga qentë.
Atëherë në ora 08:00 mëngjesit duke u kthyer prej çerdhes së fëmijëve, i kam dërguar fëmijët në çerdhe. Duke u kthyer në shtëpi, është një pjesë ku rrinë vazhdimisht qentë, sepse shtëpia është e pabanueshme, aty më kanë sulmuar thuajse 10 qenë”, ka rrëfyer Besnike Beqiraj për Gazetën Objektiv.
E pafuqishme për t’iu kundërvënë, ajo ka treguar se është rrëzuar përtokë, sakaq disa prej qenve edhe e kanë kafshuar në disa pjesë të trupit.
Gruaja shtatzënë madje thotë se qentë e sulmuan edhe në pjesën e barkut duke ja rrezikuar jetën e foshnjës së saj.
“Më kanë sulmuar shumë, më kanë rrëzuar, nuk kam mundur të iki më tepër. Kur ka dashtë me më hupë vetëdija s’kam mundur të bëjë diçka. Jam shtatzënë në muajin e 6. S’kam pas kalimtar që kanë mundur me më ndihmu, sepse nuk më ka dëgjuar askush. Janë larguar dhe kam vrapuar shumë shpejt për të shkuar te shtëpia. Kam pasur tepër dhimbje, vetëdija ka qenë duke më humbur. Kam tepër plagë prej pjesës së barkut e teposhtë”, ka thënë më tej ajo.