Kryesuesi i Bordit për Shkollim Specialistik Edmond Haliti ka folur për ndryshimet e kritereve në konkursin e fundit për shkollim specialistik.
Haliti ka thënë se vendosja e kritereve është kompetencë e Bordit dhe kjo është bërë me qëllim që konkursi të jetë sa më objektiv, shkruan Gazeta Shneta.
“Në varësi nga përvojat e konkurseve paraprake, modeleve të vendeve rajonale, (Bordi) e gëzon të drejtën e përditësimit të kritereve me qëllim të maksimalizimit të objektivitetit në përzgjedhjen e fitueseve dhe transparencës së procesit”, ka thënë Haliti.
Haliti bëri të ditur se në këtë konkurs për herë të parë është vendosur kriteri i përvojës së punës 1-vjeçare, ashtu siç e parasheh edhe Udhëzimi Administrativ.
“Po ashtu në këtë konkurs për herë të parë është futur në fuqi dispozita kalimtare e UA për shkollim specialistik 01/2023, e lidhur me përvojën një vjeçare profesionale si kriter i domosdoshëm dhe skualifikues”.
Ai tha se publikimi i rezultateve në këtë konkurs ka zgjatur më shumë meqë edhe kandidatë ka pasur më shumë.
“Ky konkurs ka shënuar numrin rekord të aplikantëve (714) dhe kjo është arsyeja që procesi ka zgjatur rreth 1 muaj më shumë, duke synuar ruajtjen e cilësisë dhe integritetit të konkursit. Paralelisht me konkursin Bordi ka për detyrë të mbikqyr dhe kryej edhe detyra të tjera që lidhen me 25 komitete specialistike dhe 600 specializantë që vijojnë shkollimin specialistik në lëmi të ndryshme”, ka deklaruar Haliti.
MSh dje ka publikuar rezultatet e konkursit të cilat mund t’i gjeni në këtë vegzë: Rezultatet e konkursit te shkollimit specialistik maj 2025 /Gazeta Shneta/




