Shpend Haxhibeqiri ka dal me një reagim pasi u lirua nga detyra e ud drejtorit të Institutit të Psikiatrisë Forenzike, me vendim të ud drejtorit të QKUK-së Mentor Zejnullahu.
Haxhibeqiri ka thënë se ky vendim nga QKUK ka ardhur pa asnjë sqarim profesional dhe juridik, shkruan Gazeta Shneta.
“Fatkeqësisht u mor pa ofruar asnje sqarim profesional dhe juridik të nevojshm e obligueshëm, duke lënë hapësirë për interpretime dhe duke dëmtuar besimin në menaxhimin transparent”, ka deklaruar Haxhibeqiri.
Ai ka demantuar edhe raportimet se u shkarkua nga pozita pas vetvrasjes së një të burgosuri në burgun e Hajvalisë. Haxhibeqiri ka thënë se instituti i kishte kryer të gjitha ekzaminimet dhe procedurat në kohë.
“Përgjegjësia për këtë tragjedi nuk mund të zhvendoset padrejtësisht mbi institucionin tonë. Për katër vite me radhë, Instituti i Psikiatrisë Forenzike nuk ka pasur asnjë incident të ngjashëm, gjë që dëshmon për përkushtimin dhe seriozitetin e stafit”, ka deklaruar Haxhibeqiri.
Reagimi i tij i plotë:
Dr. sci. Shpend S. Haxhibeqiri
Të dashur miq, kolegë dhe qytetarë,
Me datën 17.09.2025 , u njoftova me një vendim për largimin tim nga detyra e Ushtruesit të Detyrës së Drejtorit të Institutit të Psikiatrisë Forenzike. Ky vendim, i arsyetuar nga QKUK si “ristrukturim”, fatkeqësisht u mor pa ofruar asnje sqarim profesional dhe juridik të nevojshm e obligueshëm, duke lënë hapësirë për interpretime dhe duke dëmtuar besimin në menaxhimin transparent.
Arritjet gjatë mandatit tim
• Ngritja e nivelit të shërbimeve dhe standardeve profesionale në institucion.
• Forcimi i stafit dhe zhvillimi i kapaciteteve përmes punës ekipore dhe përkushtimit.
• Rritja e reputacionit të institutit, duke fituar respekt e bashkëpunim edhe jashtë kufijve të Kosovës.
• Transparencë më e lartë dhe bashkëpunim i ndërsjellë me institucionet relevante shëndetësore.
Demant ndaj shpifjeve te mediave te caktuar
Ditëve të fundit janë publikuar insinuata se shkarkimi im lidhet me rastin tragjik të ndodhur jashtë institucionit tonë, pra që nuk është kompetenca jonë. Dua të jem shumë i qartë:
• Instituti ka kryer të gjitha ekzaminimet dhe procedurat në kohë, sipas standardeve profesionale dhe jane dorezuar organeve kompetente.
• Përgjegjësia për këtë tragjedi nuk mund të zhvendoset padrejtësisht mbi institucionin tonë.
• Për katër vite me radhë, Instituti i Psikiatrisë Forenzike nuk ka pasur asnjë incident të ngjashëm, gjë që dëshmon për përkushtimin dhe seriozitetin e stafit.
Këto pretendime janë të pavërteta dhe të papranueshme, dhe i konsideroj si përpjekje për të njollosur punën e institucionit dhe arritjet tona, per cka do te mirren organet e drejtësisë.
Përfundim
Integriteti im profesional dhe përkushtimi im nuk mund të hijezohen nga një vendim i tillë. Tradita ime familjare në shërbim të shëndetësisë është e njohur: babai im themelues i institucioneve mjekësore në Kosovë, motrat , bashkeshortja mjeke e profesioniste të përkushtuara, ndërsa unë vetë kam kontribuar me vite si mjek dhe drejtues. Këto arritje dhe kjo përvojë do të mbeten gjithmonë në shërbim të pacientëve dhe Shëndetitësisë publike.
Shëndetësia nuk duhet të jetë fushë improvizimesh dhe dëshirash personale, por një sistem i bazuar në profesionalizëm, transparencë dhe llogaridhënie. Për këtë unë do të vazhdoj të qëndroj dhe të flas hapur.
Me respekt,
Dr. sci. Shpend S. Haxhibeqiri
Prishtinë, më 19.09.2025




