Nuk është hera e parë që Moshe Harel u arrestua në lidhje me dyshimet për transplantim veshkash, por ai deri më tani nuk është përballur me gjyqësinë kosovare.
Njëri ndër të dyshuarit kryesorë për rastin “Medicus”, Moshe Harel, është arrestuar ditë më parë nga autoritetet e Qipros në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar.
Harel është në kërkim që nga 2010-ta, në aktakuzën e ngritur në lidhje me transportimin e organeve, të cilat pretendohet të jenë bërë në Klinikën “Medicus”.
Për izraelitin Harel pretendohet të ketë ndërmjetësuar dhe organizuar transplantimin e veshkave.
Kjo nuk është hera e parë që Harel është arrestuar, pasi që edhe në vitin 2012 prokurori i atëhershëm Jonathan Ratel kishte konfirmuar arrestimin e tij pas kërkesës për ndihmë juridike ndërkombëtare që kishte bërë prokuroria kosovare drejtuar autoriteteve izraelite.
Madje Ratel kishte thënë se kishte filluar kontaktet me autoritetet e shtetit të izraelit për ekstradimin e këtij të akuzuari në Kosovë.
Prokuroria ka ngritur aktakuzë të veçantë kundër Moshe Harel si dhe të akuzuarit tjetër Youssuf Sonmez i cili ende ndodhet në arrati.
Pasi që të njëjtit kanë qenë në arrati është dashur që të veçohet lënda ndaj tyre në mënyrë që të procedohet tutje me të akuzuarit e tjerë.
Sipas prokurorit të mëhershëm të çështjes Jonathan Ratel, Hareli ka qenë ndërmjetësi kryesor në sigurimin, shitblerjen dhe transplantimin e organeve njerëzore,
Sipas prokurorit, ai aranzhonte takimet me pacientët dhe viktimat dhuruese të organeve.
“Stambolli ishte vendtakimi i pacientëve viktima dhe pacientëve pranues të organeve. Pacientët shpeshherë fluturonin së bashku dhe menjëherë dërgoheshin në Klinikën ‘Medicus’ për t’iu nënshtruar operacionit, bashkë me Moshe Harel-in” ,kishte thënë prokurori Jonathan Ratel në një intervistë për Gazetën Jeta në Kosovë.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në Kallxo.com.