Close Menu
Gazeta ShnetaGazeta Shneta
  • Lajme
  • Teknologji
  • Mjeku juaj
  • Këshilla për shtatzëna
  • Femina
  • Jetë
  • Publikime
  • Psikologji
  • Logopedi
  • Fizioterapi
Facebook X (Twitter) Instagram
Facebook X (Twitter) YouTube
Gazeta ShnetaGazeta Shneta
  • Lajme
  • Teknologji
  • Mjeku juaj
  • Këshilla për shtatzëna
  • Femina
  • Jetë
  • Publikime
  • Më shumë
    • Psikologji
    • Logopedi
    • Fizioterapi
Gazeta ShnetaGazeta Shneta

IKD: Ngërçi politik po rrezikon funksionimin e institucioneve të pavarura

Lajme 21/07/2026
Facebook WhatsApp Twitter LinkedIn Reddit Email Telegram
Shpërndaje
Facebook WhatsApp Twitter LinkedIn Email Telegram

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka analizuar gjendjen e mandateve dhe pozitave të lira në institucionet dhe agjencitë e pavarura dhe bazuar në këtë analizë, të dhënat tregojnë se një numër i konsiderueshëm i pozitave vazhdojnë të mbeten të paplotësuara, ndërsa për mandate që kanë përfunduar ose janë në prag të përfundimit duhet të zhvillohen procedurat përkatëse, në mënyrë që të mos krijohen ndërprerje në funksionimin e ketyre institucioneve.

Sipas IKD-së, gjendja është veçanërisht shqetësuese në institucionet ku mungojnë shumica apo të gjithë anëtarët e organeve përkatëse, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Këshilli Kombëtar i Shkencës duhet të plotësohet me të 15 anëtarët, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës me 11 anëtarë, ndërsa Komisioni për Ndihmë Shtetërore vazhdon me mandate të përfunduara që nga marsi i vitit 2022. Komisioni për Verifikimin dhe Vendosjen për Prona është pa përbërje, kurse Bordi i Ankesave në Komisionin e Pavarur për Media duhet të plotësohet me të tre anëtarët”, thuhet në analizën e IKD-së.

Po ashtu, theksohet se pozita të paplotësuara vazhdojnë të ketë edhe në dy institucione kushtetuese, Gjykata Kushtetuese duhet të plotësohet me dy gjyqtarë, ndërsa Këshilli Gjyqësor i Kosovës vazhdon me një pozitë të paplotësuar.

“Pozita të rëndësishme drejtuese vazhdojnë po ashtu të mbeten të paplotësuara. Institucioni i Avokatit të Popullit duhet të plotësohet me Avokatin e Popullit dhe katër zëvendësavokatë. Mandati i Avokatit të Popullit ka përfunduar më 28 shtator 2025, ndërsa mandatet e katër zëvendësve kanë përfunduar më 14 qershor 2025. Ligji kërkon që procedura për zgjedhjen e Avokatit të Popullit të fillojë gjashtë muaj para përfundimit të mandatit, ndërsa Avokati i Popullit dhe zëvendësit e tij vazhdojnë ushtrimin e funksionit deri në zgjedhjen e pasardhësve të tyre. Organi Shqyrtues i Prokurimit vazhdon pa Kryetar të Bordit pas dorëheqjes së tij në gusht 2024, ndërsa Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik duhet të plotësojë pozitën e Kryesuesit, mandati i të cilit ka përfunduar në nëntor 2023. Edhe Komisioni Shqyrtues i Autoritetit Rregullativ për Shërbimet e Ujit vazhdon pa kryesues pas përfundimit të mandatit në qershor 2024”, thuhet më tej.

Probleme me plotësimin e përbërjes, sipas IKD-së, vazhdojnë edhe në institucione të tjera të rëndësishme.

“Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare duhet të plotësohet me pesë anëtarë të Bordit, Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave me katër anëtarë, Bordi i KOSTT-it me tre anëtarë dhe Autoriteti i Pavarur i Konkurrencës me dy anëtarë. Pozita të lira ka edhe në Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale, Agjencinë Kosovare të Privatizimit, në Bordin Mbikëqyrës dhe Komisionin për Verifikimin dhe Vendosjen për Prona të Agjencisë Kosovare të Pronës”, thekson IKD.

Gjithashtu, IKD vë bën të ditur se në të njëjtën kohë, gjatë vitit 2026 kanë përfunduar ose përfundojnë mandatet e drejtuesve të disa institucioneve të rëndësishme.

“Mandati i Komisioneres së Agjencisë për Informim dhe Privatësi ka përfunduar më 17 qershor 2026. Në përputhje me ligjin, Komisionerja vazhdon ushtrimin e funksionit deri në zgjedhjen e pasardhësit të saj. Mandati i Drejtorit të Autoritetit Rregullativ për Shërbimet e Ujit përfundon gjatë muajit korrik 2026, ndërsa në gusht 2026 përfundojnë mandatet e Kryesuesit dhe dy anëtarëve të Zyrës së Rregullatorit për Energji. Po ashtu, mandati i Auditorit të Përgjithshëm përfundon më 12 gusht 2026. Sipas legjislacionit në fuqi, Auditori i Përgjithshëm vazhdon ushtrimin e funksionit deri në zgjedhjen e pasardhësit, ndërsa procedura për zgjedhjen e Auditorit të ri duhet të zhvillohet me kohë për të shmangur zvarritjet në këtë institucion kushtetues. Mandati i Drejtorit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit përfundon më 24 dhjetor 2026. Procedura për zgjedhjen e drejtorit të ri duhet të iniciohet para përfundimit të mandatit. Drejtori aktual vazhdon ushtrimin e funksionit deri në zgjedhjen e pasardhësit”, thuhet në analizën e IKD-së.

IKD vlerëson se mosplotësimi me kohë i pozitave në institucionet dhe agjencitë e pavarura nuk mund të trajtohet vetëm si çështje administrative. Kjo ngase mungesa e drejtuesve, anëtarëve dhe përbërjeve të plota rrezikon vendimmarrjen, funksionimin institucional, ushtrimin e kompetencave ligjore dhe mbikëqyrjen efektive në fusha të rëndësishme për qytetarët.

IKD i bëri thirrje Kuvendit që, menjëherë pas konstituimit të tij, dhe Qeverisë, në përputhje me kompetencat e tyre kushtetuese dhe ligjore, të trajtojnë si prioritet absolut përfundimin e procedurave të emërimit në institucionet dhe agjencitë e pavarura.

“Këto procedura duhet të zhvillohen pa vonesa të mëtejshme, në mënyrë transparente, mbi bazën e meritës, integritetit profesional dhe respektimit të afateve të përcaktuara me ligj”, thuhet në këtë analizë.

Komunikata e plotë:

“Një numër i madh i institucioneve dhe agjencive të pavarura vazhdojnë të funksionojnë me pozita të paplotësuara, mandate të skaduara ose me procedura të papërfunduara për zgjedhjen dhe emërimin e drejtuesve dhe anëtarëve të tyre. Në disa raste, mungesa e emërimeve ka lënë disa prej ketyre institucioneve pa përbërje të plotë, ndërsa pozita të caktuara vazhdojnë të jenë të zbrazëta prej vitesh.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka analizuar gjendjen e mandateve dhe pozitave të lira në institucionet dhe agjencitë e pavarura. Të dhënat tregojnë se një numër i konsiderueshëm i pozitave vazhdojnë të mbeten të paplotësuara, ndërsa për mandate që kanë përfunduar ose janë në prag të përfundimit duhet të zhvillohen procedurat përkatëse, në mënyrë që të mos krijohen ndërprerje në funksionimin e ketyre institucioneve.

Gjendja është veçanërisht shqetësuese në institucionet ku mungojnë shumica apo të gjithë anëtarët e organeve përkatëse. Këshilli Kombëtar i Shkencës duhet të plotësohet me të 15 anëtarët, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës me 11 anëtarë, ndërsa Komisioni për Ndihmë Shtetërore vazhdon me mandate të përfunduara që nga marsi i vitit 2022. Komisioni për Verifikimin dhe Vendosjen për Prona është pa përbërje, kurse Bordi i Ankesave në Komisionin e Pavarur për Media duhet të plotësohet me të tre anëtarët.

Pozita të paplotësuara vazhdojnë të ketë edhe në dy institucione kushtetuese. Gjykata Kushtetuese duhet të plotësohet me dy gjyqtarë, ndërsa Këshilli Gjyqësor i Kosovës vazhdon me një pozitë të paplotësuar.

Pozita të rëndësishme drejtuese vazhdojnë po ashtu të mbeten të paplotësuara. Institucioni i Avokatit të Popullit duhet të plotësohet me Avokatin e Popullit dhe katër zëvendësavokatë. Mandati i Avokatit të Popullit ka përfunduar më 28 shtator 2025, ndërsa mandatet e katër zëvendësve kanë përfunduar më 14 qershor 2025. Ligji kërkon që procedura për zgjedhjen e Avokatit të Popullit të fillojë gjashtë muaj para përfundimit të mandatit, ndërsa Avokati i Popullit dhe zëvendësit e tij vazhdojnë ushtrimin e funksionit deri në zgjedhjen e pasardhësve të tyre.

Organi Shqyrtues i Prokurimit vazhdon pa Kryetar të Bordit pas dorëheqjes së tij në gusht 2024, ndërsa Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik duhet të plotësojë pozitën e Kryesuesit, mandati i të cilit ka përfunduar në nëntor 2023. Edhe Komisioni Shqyrtues i Autoritetit Rregullativ për Shërbimet e Ujit vazhdon pa kryesues pas përfundimit të mandatit në qershor 2024.

Probleme me plotësimin e përbërjes vazhdojnë edhe në institucione të tjera të rëndësishme. Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare duhet të plotësohet me pesë anëtarë të Bordit, Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave me katër anëtarë, Bordi i KOSTT-it me tre anëtarë dhe Autoriteti i Pavarur i Konkurrencës me dy anëtarë. Pozita të lira ka edhe në Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale, Agjencinë Kosovare të Privatizimit, në Bordin Mbikëqyrës dhe Komisionin për Verifikimin dhe Vendosjen për Prona të Agjencisë Kosovare të Pronës.

Në të njëjtën kohë, gjatë vitit 2026 kanë përfunduar ose përfundojnë mandatet e drejtuesve të disa institucioneve të rëndësishme. Mandati i Komisioneres së Agjencisë për Informim dhe Privatësi ka përfunduar më 17 qershor 2026. Në përputhje me ligjin, Komisionerja vazhdon ushtrimin e funksionit deri në zgjedhjen e pasardhësit të saj.

Mandati i Drejtorit të Autoritetit Rregullativ për Shërbimet e Ujit përfundon gjatë muajit korrik 2026, ndërsa në gusht 2026 përfundojnë mandatet e Kryesuesit dhe dy anëtarëve të Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Po ashtu, mandati i Auditorit të Përgjithshëm përfundon më 12 gusht 2026. Sipas legjislacionit në fuqi, Auditori i Përgjithshëm vazhdon ushtrimin e funksionit deri në zgjedhjen e pasardhësit, ndërsa procedura për zgjedhjen e Auditorit të ri duhet të zhvillohet me kohë për të shmangur zvarritjet në këtë institucion kushtetues.

Mandati i Drejtorit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit përfundon më 24 dhjetor 2026. Procedura për zgjedhjen e drejtorit të ri duhet të iniciohet para përfundimit të mandatit. Drejtori aktual vazhdon ushtrimin e funksionit deri në zgjedhjen e pasardhësit.

IKD vlerëson se mosplotësimi me kohë i pozitave në institucionet dhe agjencitë e pavarura nuk mund të trajtohet vetëm si çështje administrative. Mungesa e drejtuesve, anëtarëve dhe përbërjeve të plota rrezikon vendimmarrjen, funksionimin institucional, ushtrimin e kompetencave ligjore dhe mbikëqyrjen efektive në fusha të rëndësishme për qytetarët.

Situata aktuale nuk është rezultat i një rasti të izoluar, por pasojë e një krize të zgjatur institucionale dhe politike. Që nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, Kosova nuk ka arritur të krijojë stabilitet të institucioneve. Mosarritja e shumicës parlamentare pas zgjedhjeve të rregullta çoi në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit 2025, ndërsa dështimi për zgjedhjen e Presidentit të Republikës solli shpërndarjen e Kuvendit dhe zgjedhjet e reja të 7 qershorit 2026. Edhe pse rezultatet e këtyre zgjedhjeve janë certifikuar më 8 korrik 2026, Kuvendi ende nuk është konstituuar, ndërsa vendi vazhdon të qeveriset nga një Qeveri në detyrë.

Kjo gjendje ka lënë pezull një numër të madh procedurash për emërimin e drejtuesve dhe anëtarëve të institucioneve dhe agjencive të pavarura, të cilat, sipas Kushtetutës dhe ligjeve, varen nga veprimi i Kuvendit ose nga bashkëveprimi ndërmjet Kuvendit dhe Qeverisë. Sa më gjatë të zgjasë moskonstituimi i Kuvendit, aq më shumë rritet numri i institucioneve që funksionojnë me mandate të skaduara, me përbërje të paplotë ose me pozita kyçe të paplotësuara.

Megjithatë, kriza politike nuk mund të shërbejë si shpjegim për të gjitha vonesat. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre procedurave është dashur të ishin iniciuar muaj para përfundimit të mandateve, ashtu siç kërkon legjislacioni në fuqi. Mosrespektimi sistematik i këtyre afateve ka bërë që vonesat të grumbullohen nga një legjislaturë në tjetrën, duke krijuar një zinxhir të mosveprimit të institucioneve që sot reflektohet në numrin e madh të pozitave të paplotësuara.

IKD i bën thirrje Kuvendit që, menjëherë pas konstituimit të tij, dhe Qeverisë, në përputhje me kompetencat e tyre kushtetuese dhe ligjore, të trajtojnë si prioritet absolut përfundimin e procedurave të emërimit në institucionet dhe agjencitë e pavarura. Këto procedura duhet të zhvillohen pa vonesa të mëtejshme, në mënyrë transparente, mbi bazën e meritës, integritetit profesional dhe respektimit të afateve të përcaktuara me ligj.

Institucionet e pavarura janë krijuar për të garantuar kushtetutshmërinë, ligjshmërinë, mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, konkurrencën, mbikëqyrjen dhe llogaridhënien publike. Ato nuk duhet të mbeten peng i krizave politike dhe i mosveprimit institucional. Çdo vonesë në plotësimin e tyre është një vonesë në funksionimin e shtetit“. /BetimipërDrejtësi

Artikulli paraprakPeticion me 110 mijë nënshkrime kërkon gjashtë muaj pushim të lehonisë në Zvicër
Artikulli i rradhës Mundësi punësimi për infermierë në Holandë

Ju sugjerojmë

Aksidenti tragjik në Komoran: Tre të lënduarit po trajtohen në QKUK, gjendja e tyre e rëndë

21/07/2026 Lajme

Moti i lig: Ekipet e KEDS-it në terren për të monitoruar situatën me rrymë

21/07/2026 Lajme

Gruaja e Hysen Durmishit bëhet këshilltare e ministrit Vitia

21/07/2026 Lajme

Peticion me 110 mijë nënshkrime kërkon gjashtë muaj pushim të lehonisë në Zvicër

21/07/2026 Këshilla për shtatzëna

Arratiset një person i ndaluar gjatë trajtimit mjekësor në Suharekë

21/07/2026 Lajme

Time Kadrijaj i bashkohet sfidës së Burim Ramadanit, e kryen narko-testin

21/07/2026 Lajme
Na ndiqni
  • Facebook
  • Twitter
  • Instagram
  • YouTube
Rreth nesh
Rreth nesh

Gazeta Shneta është produkt medial që i kushtohet vetëm shëndetësisë.

Këshillat mjekësore të postuara nga Gazeta Shneta janë të natyrës edukative.

Kontakt

Pronari i medias: Bujar Vitija

Redaktore: Diana Basholli

Email: [email protected]

Adresa: Rr. Vicianum, Prishtinë, pn.

Marketing

Email: [email protected]

Tel: +383 44 701 781

Përmbajtja

Gazeta Shneta është e hapur ndaj partnerëve të marketingut.

Linqe

Privacy Policy

Facebook X (Twitter) Instagram YouTube
© 2026 Gazeta Shneta

Shkruani fjalën dhe klikoni Search/Enter për të kërkuar. Klikoni X për ta anuluar.