Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), me mbështetjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh) dhe UNICEF-it, ka nisur një punëtori për udhëheqësit dhe profesionistët e ekipeve të vaksinimit nga Kujdesi Parësor Shëndetësor.
Aktiviteti ka për qëllim forcimin e koordinimit të aktiviteteve për zbatimin e Kalendarit të rregullt të vaksinimit.
Në fokus të veçantë është përgatitja për zbatimin e vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për vaksinimin e djemve të klasës së 6-të me vaksinën kundër HPV-së, një hap që zgjeron mbulimin e vaksinës edhe për djemtë, përveç vajzave, transmeton Gazeta Shneta.
Gjatë punëtorisë po bëhet vlerësimi i mbulueshmërisë vjetore të vaksinimit, duke përfshirë tri vaksinat e reja të futura në Kalendarin e vaksinimit për vitin 2024. Gjithashtu, është prezantuar plani i përditësuar i avokimit, komunikimit dhe mobilizimit social për vaksinën HPV, i cili përfshin edhe strategjinë për përfshirjen e djemve në procesin e vaksinimit.
Punëtoria po shërben si platformë për koordinimin dhe planifikimin e rundit të ri të vaksinimit në shkolla, i cili pritet të fillojë në shkurt 2025. Ky hap synon të rrisë mbulimin dhe ndërgjegjësimin për rëndësinë e vaksinimit, duke siguruar mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve në Kosovë.
Postimi i plotë:
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, përkrahur nga zyra e OBSh dhe UNICEF-it, është duke mbajtur punëtori me udhëheqësit dhe profesionistë të ekipeve të vaksinimit nga Kujdesi Parësor Shëndetësor, me qëllim të forcimit të koordinimit të aktiviteteve për zbatimin e Kalendarit të rregullt të vaksinimit.
Punëtoria është në vazhdën e përgatitjeve për vaksinimin e djemve në klasë të 6-të me vaksinën kundër HPV-së, sipas vendimit të fundit të Ministrit të Shëndetësisë, pas aprovimit të vaksinimin kundër HPV edhe për djemtë, përveç vajzave.
Në këtë punëtori është duke u bërë edhe vlerësimi i mbulueshmërisë vjetore të vaksinimit, përfshirë tri vaksinat e reja të futura në Kalendarin e vaksinimit në vitin 2024, është prezantuar Planit i përditësuar i avokimit, komunikimit dhe mobilizimit social për vaksinën HPV, duke përfshirë strategjinë për përfshirjen e djemve në vaksinim; Koordinimi dhe planifikimi për fillimin e rundit të ri të vaksinimit në shkolla në shkurt 2025. /Gazeta Shneta/




