Ekipet mobile të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) kanë filluar sot vaksinimin e besimtarëve myslimanë nga regjioni i Ferizajt, të cilët planifikojnë të udhëtojnë për të kryer Haxhin në Mekë.
Ky aktivitet realizohet në bashkëpunim me Qendrat Rajonale të Shëndetit Publik, Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) dhe Bashkësinë Islame të Kosovës, me synim mbrojtjen e shëndetit publik dhe përmbushjen e kërkesave ndërkombëtare të vaksinimit për udhëtarët që vizitojnë vendet e shenjta islame.
Vaksinimi përfshin dozën kundër meningjitit, e cila është e domosdoshme sipas rregullave të autoriteteve saudite për hyrjen në Mekë gjatë sezonit të Haxhit.
Procesi i vaksinimit ka përfunduar më herët në regjionin e Prishtinës dhe Mitrovicës, ndërsa gjatë fundjavës pritet të vazhdojë në regjionin e Pejës, Gjilanit, Prizrenit dhe Gjakovës./Gazeta Shneta/




