Infektologu Ilir Tolaj po vazhdon ta sfidojë Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, duke deklaruar kësaj radhe se mbajtja e maskave në ambiente të hapura është e panevojshme.
Tolaj në një shkrim të publikuar në media thotë se masat që po ndërmerren nga Kosova janë kundërthënëse dhe të panevojshme. Sipas tij, një prej këtyre masave është edhe vendosja e detyruar e maskave në ambient të hapur, shkruan Gazeta Shneta.
“Nuk ka asnjë arsye as shkencore e as logjike, t’i detyrosh njerëzit që janë duke ecur rrugës që ta bartin maskën, ndërsa ata që janë ulur në terasën e kafeterive përskaj rrugës të jenë krejtësisht pa maskë. Madje edhe nëse teorikisht kjo masë në këtë mënyrë mund të parandalojë të infektuarit e ndonjë personi, në jetën reale kjo gjë është e papërfillshme”, ka shkruar Tolaj.
Ai thotë se maska duhet të bartet aty ku ka dendësi popullate, ku distanca sociale nuk është e mundur të mbahet.
Lexoni shkrimin e tij të plotë:
Prof. Asoc. Dr. Ilir Q. Tolaj
Maskat janë bërë shenjë njohëse dhe temë diskutimi kudo në botë në ditët e sotme. Vendet të cilat i kanë shterur idetë dhe mundësitë që me masa e mënyra tjera të ndikojnë në ecurinë e pandemisë Covid 19, kthehen sërish tek maska, si masë mbrojtëse nga infeksioni. Edhe autoritetet në Kosovë po e bëjnë të njëjtën gjë. Por në këtë përpjekje për të pasur rezultate të shpejta, që Kosova mos të konsiderohet delja e zezë e Evropës, masat e rekomanduara janë kundërthënëse e edhe të panevojshme.
Masa e bartjes së detyruar të maskës në ambient të hapur, është njëra prej tyre. Nuk ka asnjë arsye as shkencore e as logjike, t’i detyrosh njerëzit që janë duke ecur rrugës që ta bartin maskën, ndërsa ata që janë ulur në terasën e kafeterive përskaj rrugës të jenë krejtësisht pa maskë. Madje edhe nëse teorikisht kjo masë në këtë mënyrë mund të parandalojë të infektuarit e ndonjë personi, në jetën reale kjo gjë është e papërfillshme. Sepse, numri më i madh i infeksioneve me Covid-19 po ndodh brenda familjeve, apo pas kontakteve intensive me të infektuarit jashtë familjeve. E rruga nuk paraqet një situatë të tillë.
Maska duhet të bartet aty ku ka dendësi popullate, ku distanca sociale nuk është e mundur të mbahet. Dhe kjo nuk është situata me ambientin e hapur, rrugët e qytetit; ashtu siç nuk është rasti as me të ulurit në tavolinat e kafeterive dhe restoraneve të vendosura në ambientin e hapur, ku edhe ashtu askush nuk po bartë maskë.
Masa e bartjes së detyruar të maskës duhet të kërkohet për ambientet e mbyllura, çfarëdo qofshin ato, dhe kryesisht nëse qëndrimi në këto hapësira të mbyllura është më i gjatë se 15 minuta. Në të kundërtën, masa e humb kuptimin dhe prodhon efekt të refuzimit të po kësaj mase e edhe të masave të tjera. Masat duhet të jenë të balancuara dhe të arsyeshme, e jo aso që e vështirësojnë pa nevojë jetën më shumë se vet pandemia.
Ilir Q. Tolaj është infektolog dhe professor i asociuar i sëmundjeve infektive.