Infeksionet bakteriale janë sëmundje që shkaktohen nga bakterie të ndryshme që ndodhin në organizëm dhe mund të ndikojnë në sisteme të ndryshme të trupit.
Sipas infektologes Dr. Vera Berisha-Ndrejaj, bakteriet më të shpeshta që shkaktojnë infeksione në Kosovë janë escherichia coli, meningokoku, pneumokoku dhe streptokoku, shkruan Gazeta Shneta.
“Një pjesë e madhe e këtyre bakterieve janë të pranishme në ushqime të ndryshme si qumështi dhe produkte të tjera, por edhe në mjedise të ndryshme, si ambientet ku jetojmë. Ato mund të gjenden në çdo vend ku ka kushte të përshtatshme për shumzim,” shpjegon Dr. Vera Berisha-Ndrejaj.
Dr. Berisha-Ndrejaj shprehet se faktorët që rrisin mundësinë e infeksioneve bakteriale janë të ndryshëm.
“Mosha e caktuar, imuniteti i dobët i pacientëve, trajtimi i disa sëmundjeve dhe moshat e shtyera janë disa nga faktorët kryesorë por higjiena e duarve dhe ushqimi janë thelbësore për parandalimin e këtyre sëmundjeve”, u shpreh ajo.
Sipas saj në fillim të infeksionit, simptomat janë të ngjashme me ato të infeksioneve virale, dhe shpesh janë të vështira për t’u dalluar.
“Në fazën fillestare, simptomat mund të përfshijnë temperaturë të lartë, dhimbje koke dhe simptoma të tjera specifike në varësi të sistemit të prekuran nga bakteret,” theksoi Dr. Berisha-Ndrejaj.
Sipas Dr. Berisha-Ndrejaj, trajtimi zakonisht bëhet me antibiotikë të spektrit të gjerë.
“Pasi të kemi informacion më të detajuar mbi llojin e bakterit, mund të kalojmë në përdorimin e antibiotikëve specifikë për atë lloj infeksioni, ose mund të ndryshojmë medikamentet në përputhje me nevojat,” shtoi tutje ajo.
Për këto dhe detaje të tjera ndiqni videon më poshtë:




