Infeksionet bakteriale janë shkaku i dytë kryesor i vdekjeve në mbarë botën, duke zënë një në tetë të të gjitha vdekjeve në vitin 2019.
Studimi i ri masiv, i botuar në revistën Lancet, shqyrtoi vdekjet nga 33 patogjenë të zakonshëm bakterial dhe 11 lloje infeksionesh në 204 vende dhe territore, shkruan Medical Xpress përcjell Gazeta Shneta.
Patogjenët u shoqëruan me 7.7 milionë vdekje – 13.6 për qind e totalit global – në vitin 2019, një vit para se të niste pandemia Covid-19.
Kjo i bëri ata shkakun e dytë kryesor të vdekjes pas sëmundjes ishemike të zemrës, e cila përfshin sulmet në zemër.
Vetëm pesë nga 33 bakteret ishin përgjegjëse për gjysmën e këtyre vdekjeve: Staphylococcus aureus, Escherichia coli, Streptococcus pneumoniae, Klebsiella pneumoniae dhe Pseudomonas aeruginosa.
“Këto të dhëna të reja për herë të parë zbulojnë shtrirjen e plotë të sfidës globale të shëndetit publik të paraqitur nga infeksionet bakteriale,” tha bashkëautori i studimit Christopher Murray, drejtor i Institutit për Metrikën dhe Vlerësimin e Shëndetit me qendër në SHBA.
“Është me rëndësi të madhe që këto rezultate të vendosen në radarin e iniciativave globale shëndetësore, në mënyrë që të mund të bëhet një zhytje më e thellë në këta patogjenë vdekjeprurës dhe të bëhen investimet e duhura për të ulur numrin e vdekjeve dhe infeksioneve.”
Hulumtimi vë në dukje dallime të mëdha midis rajoneve të varfëra dhe të pasura.
Në Afrikën Sub-Sahariane, kishte 230 vdekje për 100,000 banorë nga infeksionet bakteriale.
Ky numër ra në 52 për 100,000 në atë që studimi e quajti “super-rajoni me të ardhura të larta”, i cili përfshinte vendet në Evropën Perëndimore, Amerikën e Veriut dhe Australazinë*. (*Australia, Zelanda e Re dhe ishujt fqinjë në Oqeanin Paqësor).
Autorët kërkuan rritjen e fondeve, përfshirë vaksinat e reja, për të zvogëluar numrin e vdekjeve, duke paralajmëruar gjithashtu kundër “përdorimit të pajustifikuar të antibiotikëve”.
Larja e duarve është ndër masat e këshilluara për të parandaluar infeksionin. /Gazeta Shneta/