Disa infermierë që nuk kanë arritur të aplikojnë në konkursin e Komunës së Prishtinës janë ankuar se konkursi nuk ka qenë i publikuar në uebfaqen zyrtare të komunës. Nga ky institucion janë arsyetuar se konkursi është publikuar në faqen e Sistemit për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore.
Në Komunën e Prishtinës janë në proces e sipër disa konkurse për punësimin e punëtorëve shëndetësorë, pesë mjekë familjarë, 15 mjekë të përgjithshëm, pesë stomatolog të përgjithshën, tetë asistent të stomatologjisë, 16 infermierë, një teknik i radiologjisë, dy teknikë të laboratorit dhe një IT.
Konkursin për këto pozita Komuna e Prishtinës nuk e ka publikuar fare në uebfaqen e saj zyrtare “prishtinaonline.com”, gjë që ka shkaktuar pakënaqësi tek disa kandidatë për pozitën infermierë.
Ata në kushte anonimiteti janë ankuar në adresë të Gazetës Shneta se iu është bërë e padrejtë meqë nuk kanë arritur të informohen për konkursin.
Por nga komuna e Prishtinës janë arsyetuar se nuk e kanë obligim që ta publikojnë konkursin në uebfaqen e tyre, pasi i njëjti është pulibkuar në faqen e Sistemit të Menaxhimit të Burimeve Njerëzore.
“Konkurset e lartecekura me kerkese te njesise kerkuese qe ne kete rast eshte Drejtoria e Shendetsise jane shpallur me daten 25/01/2023, ndersa mundesia per te aplikuar eshte hapur me daten 24/02/2023 – 10/03/2023. Keto konkurse e kemi obligim ligjor me i shpalle vetem ne sistemin zyrtar te rekrutimit qe quhet “Sistemi Informativ per Menaxhimin e Burimeve Njerezore (SIMBNJ)”, system ky qe menaxhohet nga “Departamenti per Menaxhimin e Zyrtareve Publik (DMZP)” ne kuader te Ministrise se Puneve te Brendshme”, thuhet në përgjigjen e komunës.
Ata kanë treguar se punëtorët që do të pranohen në bazë të këtij konkursi do të shpërndahen në institucionet e kujdesit parësor shëndetësor sipas nevojave të QMF-ve. /Gazeta Shneta/




