Gjatë seancës së djeshme, Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi deklaroi se stafi shëndetësor do të rikthehen në punë pas pesë ditësh izolim, pas infektimit me COVID-19 për personat që nuk kanë simptoma.
E një gjë e tillë duket të jetë e padrejtë sipas nënkryetarit të Sindikatës së Infermirëve, Enlirat Duraku. Në një intervistë për Gazeta Shneta, ai u shpreh se ky lloj vendimi mund të jetë diskriminues ndaj stafit shendëtetësor.
“Si sindikatë e infermierëve sigurisht që shkurtimi i kohës së karantinimit apo vetizolimit të personelit shëndetësor në pesë ditë ndërsa për qytetarët tjerë në shtatë deri në dhjetë ditë sipas rekomandimeve, ky lloj vendimi përmbanë në veti një lloj diskriminimi, mirëpo sigurisht që ne do të konsultohemi edhe me organet e kryesisë së sindikatës dhe do të dalim me një qëndrim për këtë çështje”, theksoi Duraku.
“Ministri Latifi do duhej të ishte më specifik në deklaratën e tij gjatë seancë së Kuvendit të Republikës së Kosovës ku ai deklaroi se pas 5 ditëve profesionistët shëndetësor duhet të kthehen në punë nëse nuk kanë shenja dhe simptoma klinike. Për t’iu shmangur keqinterpretimeve duhet sqarim se a në kupton kjo që edhe nëse jeni ende pozitiv me virusin mirëpo nuk keni shenja dhe simptoma klinike duhet të ktheheni në punë?”, ka thënë Duraku.
Sipas të dhënave nga IKShPK, numri i infermierëve të infektuar me COVID-19 në ditët e fundit ka qenë 160, por sipas Durakut kjo shifër mund të rritet nga dita në ditë.
E infektimi me koronavirus ka ndikuar që në klinika të këtë edhe mungesë stafi.
“Rezultimi pozitiv i infermierëve ka shkaktuar mungesa të stafit në klinika të caktuara, duke përfshirë edhe klinika jo COVID”, tha Duraku për Gazeta Shneta.
Tutje, ai thekson se klinikat dhe spitalet në SHSKUK mungesën e stafit nuk e kanë vetëm tani në kohë pandemie, kjo pasi që sipas tij klinikat kanë nevojë për më shumë infermierë që para pandemisë.
“Mungesat kanë qenë të mëdha qysh para pandemisë, ne jemi dëshmitarë që edhe para pandemisë, ka njesi të Qendrës Klinike Universitare ku për një ndrrim nate, një infermieri i duhet që të kujdeset për 26 deri në 30 pacientë, gjë që është një mbingarkesë të skajshme të infermierit në punë”, tha ai.
Ndërkaq, sa i përket kërkesave ndaj organeve kompetente, Duraku thekson se kanë nisur edhe një kërkesë për t’u takuar me ministrin Latifi, takim ky në të cilin do t’i diskutonin pakënaqësitë dhe shqetësimet rreth situatës.
E, sa i përketë vendimit të menaxhmentit për testim të infermierëve me PCR edhe pasi kanë rezultuar negativ me RAPID-test, Duraku e quan një vendim të pa menduar mirë.
Megjithatë ky vendim është ndryshuar pas reagimit të Sindikatës së Infermierëve. SHSKUK ka marr vendim tjetër ku është pranuar testi rapid, por është kërkuar që i njëjti të bëhet brenda klinikave dhe të regjistrohet në librat e protokollit. /Gazeta Shneta/