Reagimit të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili tha se mantelbardhët duhet t’i shohin punët e tyre, i është përgjigjur kryeinfermierja Arta Sejdiu përmes një postimi në Facebook.
Në replikën e saj në Facebook, Sejdiu ka theksuar kontributin e stafit të QKUK-së, si dhe duke u arsyetuar për mangësitë, për të cilat thotë se gjinden kudo, shkruan Gazeta Shneta.
Kryeinfermierja kishte reaguar në rrjetin social ‘Facebook’ më parë si rezultat i ngritjeve të pagave të deputetëve.
Në mënyrë ironike, në njërin nga emisionet e Tribuna Channel, shefi i ekzekutivit e kishte pranuar pagën e infermierës.
Njëherëshit, ajo ka rekomanduar Haradinajn që t’i marrë parasysh kërkesat e tyre.
Ndiqeni postimin e plotë të saj:
“I nderuar Kryeminister
Unë kam publikuar një status, duke mos menduar asnjeherë që ky status i imi do të merr përmasa aq të gjera, që unë të kem nderin të komunikoj me Ju, edhepse jo drejtpërdrejtë. S’kam pasur qëllim të nxisë askend, e as të ndikoj negativisht në mendjen e të tjerëve, por thjesht kam shprehur mendimin tim, si gjithmonë.
Unë e çmoj lart pozitën tuaj, jam e vetëdijshme për përgjësinë tuaj dhe do t’a vleresoj çdo përpjekje tuaj që bëni për t’a përmirësuar cilësinë e jetës së qytetareve tuaj, e në të kundërtën do të shpreh çdoherë atë që mendoj, u pëlqeu apo jo.
Kam përmendur pagën time çdoherë duke bërë krahasim me pagën tuaj, dhe e kam vlerësuar si pagë të imtë që pamundëson çdo puntor shëndetësor të jetoj në mënyrë të dinjitetshme (flas për ata që punojnë me nder, dhe që atë pagë e kanë të vetmin burim).
Unë pagën time asnjëherë nuk do t’ua ipja, dhe kam qenë e sigurtë që s’do e marrësh. Me ironi e kam “ofruar” dhe me ironi e keni “pranuar”. Ndryshe nga ju unë nuk kam asnjë burim tjeter, dhe këtë punë që bëj mundohem t’a bëj me përkushtim tē madh, prandaj edhe e kam ndier veten te lire te postoj kete status, se e di që askush nuk mund te ma beje me gisht, dhe te me akuzoj se e neglizhoj punen. Por prape pagen time do e keni ne dispozicion, ose si page, o duke ma privuar te drejten qe te marrë pagë.
S’do t’a diskutoj kontributin tim, sepse atë kontribut duhet t’a vleresojne te tjeret, por mund te flas per gjithe stafin e QKUK. E di qe nuk eshte cdo gje perfekte, si çdokund, ka mangësi, le vend per te deshiruar, por ju garantoj qe shumica punojne me nder e perkushtim, ne kujdestari 24 h, a 12 h, orar e jashtë orarit, besa me nje normativë që nuk punohet askund, ne mungese stafi pa permendur fare mungesat tjera. Shpesh kritikohemi, e më shpesh lavdërohemi, andaj meritojme edhe te perkrahemi e stimulohemi.
Vleresoj lart rekomandimin tuaj që te merrem me pacientet dhe me higjienen (thene shqip, shikoje punen tane) dhe ju garantoj qe do te VAZHDOJ si deri me tani te punoj me perkushtim dhe t’a shoh pacientin si familjar timin, siq bëjnë shumica e mantelbardhëve.
Por … edhe une kam nje rekomandim per ju, ngjan me te juajen: NE DO TE MERREMI ME PUNEN TONE, POR MERRUNI EDHE JU ME NE…
(p.s Ju lus te gjithe juve qe komentoni, te debatojme si na ka hije, mos ofendoni as ne adrese te Kryeministrit e as ne timen. Jam vetem duke shprehur mendimin tim, pa kurrfare prapavije. Mos me beni te ndihem me faj).
Me respektin me te madh:
Arta Sejdiu”