Inspektorati i Punës ka gjobitur me nga 2 mijë euro anëtarët e Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar për mos zbatimin e vendimit për rikthimin e Basri Sejdiut në pozitën e drejtorit.
Në korrik të vitit të kaluar Bordi i SHSKUK-së kishte marr vendim për shkarkimin e Sejdiut nga pozita e drejtorit të përgjithshëm. Këtë vendim Sejdiu e kishte ankimuar në Inspektorat, me ç’rast ky i fundit kishte vendosur në favor të tij, shkruan Gazeta Shneta.
Inspektorati më 20 korrik kishte kërkuar nga Bordi që ta anulonte vendimin për shkarkimin e Sejdiut dhe i njëjti të rikthehej në pozitë, por organi më i lartë drejtues i SHSKUK-së nuk e kishte përfillur këtë vendim.
Për këtë arsye Inspektorati më 25 mars ka marr vendim për gjobitjen e anëtarëve të Bordit me nga 2 mijë euro. IP ka gjobitur kryesuesin e Bordit Dr. Xhevat Jakupi, si dhe anëtarët Aida Rexhepi, Diana Dafota, Sadete Hadri, Agreta Gecaj-Gashi dhe Enver Gashi.
Kujtojmë se vendimin e Inspektoratit, Bordi i SHSKUK-së e kishte dërguar në Gjykatën Themelore dhe kjo e fundit e kishte shtyrë ekzekutimin e vendimit për rikthimin e Sejdiut në detyrë.
Vendimin e Themelores e ka rikthyer në rigjykim Gjykata Supreme. /Gazeta Shneta/




