Njësia e Inspektimi të Shërbimeve Sociale të Ministrisë së Financave ia ka revokuar licencën Qendrës për të Moshuarit “Orenda”.
Në njoftimin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve thuhet se pas publikimit të lajmit për dhunën fizike ndaj të moshuarës nga infermieret në këtë qendër inspektoriati e ka inspektuar vendin e ngjarjes dhe ka intervistuar stafin e qendrës dhe dëshmitarët e rastit.
“Me përmbylljen e raportit të inspektimit, i njëjti i është dorëzuar sot Komisionit Licencues, i cili ka mbajtur një takim urgjent ku është marrë vendim që subjektit “Orenda” t’i revokohet licenca për ofrimin e shërbimeve sociale”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
“Sipas vendimit të Komisionit, subjekti në fjalë është i obliguar që brenda një afati 24 orësh t’i njoftojë familjarët e rezidentëve lidhur me vendimin, kurse deri më datë 7 nëntor (e hënë) obligohet të dorëzojë licencën dhe të mbyll aktivitetin e ofrimit të shërbimeve sociale”, thuhet mes tjerash.
Gjykata Themelore në Pejë e ka aprovuar kërkesën për paraburgim prej 30 ditësh për tre infermieret e përfshira në rastin e dhunimit fizik ndaj të moshuarës. /Gazeta Shneta/




