Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se gjatë një aksioni kontrollues në barnatoret private në Mitrovicën Veriore, Inspektorati Farmaceutik ka zbuluar sasi të konsiderueshme të produkteve medicinale që nuk janë të autorizuara për tregun e Kosovës.
Sipas njoftimit, produktet e sekuestruara ishin të pajisura me banderolë të shteteve të tjera, përkatësisht të Serbisë apo Maqedonisë së Veriut, si dhe disa pa asnjë banderolë identifikuese.
“Në njërën nga barnatoret e qytetit u hasën edhe produkte medicinale me banderolë të kuqe që janë të dedikuara për sektorin publik të shëndetësisë dhe janë falas për qytetarët apo janë të dhuruara si donacione për Spitalin e Mitrovicës Veriore. Të njëjtat janë keqpërdorur duke u dërguar në barnatore private për t’u shitur”, thuhet në njoftim.
Postimi i plotë:
Siguria dhe rregullsia e barnave – aksionet e inspektoratit
Në kuadër të aksioneve të vazhdueshme për ta ruajtur shëndetin e qytetarëve, Inspektorati Farmaceutik zhvilloi aktivitet inspektues në barnatore private në Komunën e Mitrovicës veriore.
Gjatë inspektimit u hasën sasi e madhe e produkteve medicinale të paautorizuara për tregun vendas. Produktet e gjetura ishin të pajisura me banderolë të Serbisë, ose të Maqedonisë ose dhe pa banderolë.
Në njërën nga barnatoret e qytetit u hasën edhe produkte medicinale me banderolë të kuqe që janë të dedikuara për sektorin publik të shëndetesisë dhe janë falas për qytetarët apo janë të dhuruara si donacione për Spitalin e Mitrovicës Veriore. Të njëjtat janë keqperdorur duke u dërguar në barnatore private për t’u shitur.
Të gjitha produktet medicinale të paautorizuara u konfiskuan nga ana e inspektoratit dhe ditëve në vazhdim do të vazhdohen me procedurat e rregullta.
Bëjmë thirrje qytetarëve të sinjalizojnë në çdo kohë në inspektoratet tona për çdo parregullsi që venë re.




