Inspektorati Shëndetësor i Ministrisë së Shëndetësisë gjatë ditës së sotme ka mbyllur përkohësisht shërbimin e IVF-së edhe në Klinikën Gjermane “Deutsche Frauenklinik”.
Gazeta Shneta ka mësuar nga burime zyrtare brenda MSH-së se në këtë klinikë janë gjetur disa shkelje ligjore dhe administrative, për çka është vendosur edhe mbyllja e përkohshme e shërbimit të IVF-së.
“Në këtë klinikë nuk janë evidentuar raste të shkeljeve që përbëjnë vepra penale, por janë gjetur shkelje të ligjit dhe udhëzimit administariv për frytnim të asistuar mjekësor. Shërbimi i IVF-së është mbyllur deri në një vendim tjetër”, ka deklaruar ky burim për Gazetën Shneta.
Në këtë inspektim nuk ka marr pjesë Policia e Kosovës pasi në tanket e laboratorit të klinikës nuk janë gjetur qeliza dhe embrione.
Bastisja e kësaj klinike nga Inspektorati Shëndetësor vjen pas mbylljes së shërbimit të IVF-së në katër klinika tjera private ku u arrestuan edhe disa pronarë klinikash dhe mjekë vendor dhe të huaj për shkak të dyshimeve për transferime të jashtëligjshme të qelizave dhe embrioneve.
Rasti i klinikave private është duke u hetuar edhe nga Prokuroria e Shtetit, ndërsa ende nuk ka ndonjë vendim përfundimtar për to nëse do t’iu vazhdohet licenca për shërbimin e IVF-së apo do t’iu ndalohet puna për një kohë të caktuar.
Të gjitha klinika janë gjobitur me nga 20 mijë euro nga Inspektorati Shëndetësor, ndërsa është kërkuar edhe revokimi i licencës për një vit. /Gazeta Shneta/