Inspektorati Shëndetësor ka zbarkuar në Klinikën e Kardiokirurgjisë në QKUK, pas raportimit të Gazetës Shneta lidhur me rastin e vdekjes së një pacienti dhe deklaratave të mjekëve.
Inspektorati Shëndetësor ka filluar hetimet në Klinikën e Kardiokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare, ka mësuar Gazeta Shneta nga burime brenda këtij institucioni.
Inspektorët kanë shkuar në klinikë pas raportimit të Gazetës Shneta për vdekjen e një pacienti, operacioni i të cilit ishte publikuar si sukses nga mjekët e klinikës.
Kardiokirurgu Kushtrim Shala ka postuar dje në profilin e tij në Facebook se bashkë me kolegë të tij kanë kryer me sukses një operacion të rrallë të quajtur “David”. Por fatkeqësisht pacienti kishte ndërruar jetë disa orë më vonë.
Për këtë rast ka folur drejtori i Klinikës Rifat Brahimaj, i cili për Gazetën Shneta ka thënë se mjekët që kanë kryer këtë operacion nuk e kanë kompetencën profesionale, e aq më tepër kanë edhe vështirësi në procedura standarde.
Për këtë rast është konfirmuar se do të nis hetime edhe prokurori i Odës së Mjekëve të Kosovës. /Gazeta Shneta/




