Studiuesit nga Universiteti i Strathclyde dhe King’s College kanë zhvilluar një model të inteligjencës artificiale që parashikon rrezikun e grave për pasojat e preeklampsisë, një ndërlikim i shtatzënisë që përfshin hipertension të vazhdueshëm dhe dëmtime të mëlçisë ose veshkave.
Preeklampsia prek 5–7% të shtatzënive dhe është një nga shkaqet kryesore të vdekjes së nënave në nivel global, shkruan Health News transmeton Gazeta Shneta.
Derisa aktualisht nuk ekziston test që ta parashikojë këtë gjendje në fillim të shtatzënisë, modeli i mësimit makinerik mund të identifikojë gratë me rrezik të lartë dhe të ofrojë parashikime të sakta dhe të personalizuara.
Mjetet e inteligjencës artificiale janë përdorur tashmë për diagnostikime të avancuara mjekësore, duke përfshirë analizën e imazheve mjekësore.
Faktorët e rrezikut për preeklampsinë përfshijnë shtatzëninë e parë, historinë familjare ose personale të preeklampsisë, hipertensionin, sëmundjet kronike të veshkave, diabetin, indeksin e lartë të masës trupore, shtatzëninë nga IVF dhe moshën mbi 40 vjeç.
Edhe pse nuk mund të parandalohet plotësisht preeklampsia, kontrolli i dietës, aktiviteti fizik dhe monitorimi i simptomave janë masa të rëndësishme parandaluese.
Ky model i ri mund të ndihmojë mjekët të marrin vendime më të informuara për kujdesin individual të grave shtatzëna. /Gazeta Shneta/


