Pas disa vjetëve pune dhe studimi në Austri, dr. Qëndrim Zahiri vendos që bashkë me bashkëshorten të zhvendosen në Zvicër. Ai në Cyrih përfundon specializimin për mjekësi interne. Me 25 nëntor të këtij viti, dr. Qëndrimi ka hapur solemnisht ordinancën e tij private në Rüschlikon të Cyrihut, saktësisht në rrugën Bahnhofstrasse 78. Thotë se për pacientët e tij do të ofrojë një mjekësi kualitative dhe bashkëkohore.
Në dhomën e ndejës në shtëpi, shpeshherë mbrëmjeve kishte njerëz që Qendrim Zahiri nuk i njihte. Megjithatë, kjo nuk e ndalonte të atin e tij që t´u ndihmonte atyre. Dekada më parë, kur Qëndrimi ishte fëmijë, babai i tij punonte si pediatër në spitalin e Ferizajt. Njerëzit që kishin nevojë të mjekoheshin, trokisnin ditë e natë në derën e shtëpisë së familjes Zahiri.
“Idhulli im“, thotë doktor Qëndrimi, sot mjek internist në Cyrih të Zvicrës, kur flet për të atin. Falë përkrahjes së pakursyer të familjes, e në veçanti të prindërve të tij, sot ai ka një karrierë të suksesshme dhe shikon drejt një të ardhmeje të ndritur.
Dr.Qendrim Zahiri me prof.dr. Christoph Meier – Drejtor i Klinikes për sëmundje Interne në Spitalin Universitar të Cyrihut
Dr.Qendrim Zahiri me prof.dr. Christoph Meier – Drejtor i Klinikës për sëmundje Interne në Spitalin Universitar të Cyrihut
Rrugëtimi i Qëndrimit drejt karrierës si mjek
Mjekësia ishte ngulitur në zemrën e Qëndrimit qysh kur ai ishte fëmijë. Kur flet për albinfo.ch, ai kujton babanë e tij që shpeshherë kryente shërbime mjekësore në shtëpinë e tij, madje kur nuk kishte as rrymë, duke punuar nën dritën e qiririt. Kjo vetëm sa ia shtonte atij dëshirën për t´u bërë mjek.
Dr. Qëndrim Zahiri u lind në Komogllavë të Ferizajt, ndërsa shkollimin fillor e të mesëm e përfundoi në këtë qytet, për të vazhduar më pas me studimet në Fakultetin e Mjekësisë, në vitin 2006, në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Gjatë studimeve në Prishtinë, dr. Qëndrimit iu dha mundësia të transferohej në Fakultetin e Mjekësisë në Graz të Austrisë, ku diplomoi për Mjekësi Humane, në vitin 2014. Nga aty, ai u zhvendos në Vjenë, ku përfundoi specializimin për Mjekësi Familjare në vitin 2018.
I gjithë ky rrugëtim nuk ishte aspak i lehtë për mjekun kosovar. Ai tregon se gjatë studimeve, krahas ndihmës nga familja, i ishte dashur edhe të vetëfinancohej, çka e bënte të punojë punë të ndryshme, tejet të lodhshme.
“Studimet në një universitet-qytet-shtet evropian për një kosovar që nuk kishte pasur mundësinë të dilte më larg se Tirana e Shkupi, patjetër se ishin sfidë e madhe dhe këtë mund ta përshkruajnë vetëm ata që e përjetuan! Me punë intensive dhe duke pasur ngarkesë edhe çështjen e financave – duke punuar herë si pjatalarës, herë si kamerier në lokale të gastronomisë në Graz, – mund të them lirshëm se jeta në Graz ishte një leksion për mua në kuptimin e plotë të fjalës”, shprehet Qëndrimi kur tregon për peripecitë e jetesës si student në Austri.
Pas disa vjetëve pune dhe studimesh në Austri, dr. Qëndrimi Zahiri vendos që bashkë me bashkëshorten të zhvendosen në Zvicër. Ai në Cyrih përfundon specializimin për Mjekësi Interne.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në albinfo.ch