Jemi në muajin maj, fillimi i të cilit karakterizohet me shënimin e ditës ndërkombëtare për sëmundjen e astmës.
Sëmundja e astmës nuk e përjashton askënd, i prek të gjitha moshat dhe më së shpeshti fillon në fëmijëri e njohur si bronkiti obstruktiv i fëmijërisë, por për herë të parë mund të paraqitet edhe tek të rriturit, shkruan Gazeta Shneta.
E për të mësuar më shumë rreth kësaj sëmundjeje, Gazeta Shneta sjell një intervistë me pulmologun, Besim Morina i cili punon në Klinikën e Pulmologjisë në QKUK. Morina na tregon për simptomat, shkaqet dhe mjekimin e kësaj sëmundje.
Pulmologu Morina ka treguar se astma është një sëmundje afatgjatë që karakterizohet me pezmatimin dhe ngushtimin e rrugëve të ajrit dhe se nuk ekziston një mjekim i cili e shëron plotësisht atë.
“Astma është një sëmundje afatgjatë që karakterizohet me pezmatim dhe ngushtim të rrugëve të ajrit, me ҫ’rast vështirësohet marrja dhe nxjerrja e frymës nga mushkëritë.
Momentalisht, nuk ekziston një mjekim i cili e shëron astmën plotësisht, mirëpo ka barna dhe trajtime me të cilat i mbajmë simptomat nën kontrollë dhe i parandalojmë shfaqjen e tyre, – tha ai.”
Disa nga simptomat e kësaj sëmundjeje janë: fishkëllimat gjatë frymëmarrjes, fymëzënia, shtrëngimi i gjoksit, kolla e gjatë. Ndodh që këto simptoma të keqësohen duke shkaktuar gjendjen si sulm astmatik apo përkeqësim i bronkitit.
Pulmologu na tregoi lidhur me ngacmuesit që e shkaktojnë astmën siç janë: alergjenët, tymi, ndotja, ajri i ftohtë etj.
“Te astma pezmatimi i rrugëve të ajrit i bën ato shumë të ndjeshme ashtu që ato munden që përkohësisht të ngushtohen. Kjo mund të ndodhë vetvetiu apo pas ekspozimit ndaj ndonjë ngacmuesi.
Ngacmuesit më të shpeshtë të astmës janë: alergjenët (si për shembull pluhuri i shtëpisë, qimet e kafshëve apo poleni), tymi, ndotja dhe ajri i ftohtë, ushtrimet apo aktiviteti fizik, infeksionet si ftohja apo gripi, etj”, – tregon pulmologu Morina.
Më tutje dr.Morina ka treguar se personat e sëmurë me këtë sëmundje përdorin barna në formë të inhalimit, si inhalatorë me presion (sprej), inhalatorë me pluhur të thatë (me kapsula) apo nebulizatorë (aparat i inhalimit. Në disa raste të rënda kërkohet të përdoren edhe barnat në formë të tabletave apo ampullave, kurse kur shkak i astmës është alergjia atëherë përdoren barna edhe kundër alergjisë (në formë të tabletave).
I pyetur se cilat janë këshillat për njerëzit me sëmundjen e astmës, pulmulogu Besim Morina tha:
“Simptomat e astmës zakonisht mund të kontrollohen me trajtimin e duhur. Shumica e personave me astmë zhvillojnë jetë normale dhe aktive, megjithatë disa persona me astmë të rëndë mund të kenë probleme të vazhdueshme.
Në rastin kur dyshojmë per astmë duhet të vizitojmë mjekun në mënyrë që të kemi një diagnozë të qartë, të marrim trajtimin e duhur për kontrollimin e simptomave dhe parandalimin e tyre si dhe të këshillohemi si t’i evitojmë shkaktarët e paraqitjes së simptomeve të astmës”./Gazeta Shneta/




