Pas një investimi prej mbi 500 mijë eurosh në pajisje të avancuara, kanë përfunduar edhe punimet infrastrukturore në Klinikën e Oftalmologjisë. Ky zhvillim ka vendosur standarde të reja për një Klinikë të Syve moderne, duke e bërë atë lidere në vend dhe më gjerë në ofrimin e shërbimeve oftalmologjike.
“Si rezultat i këtyre investimeve, numri i referimeve është zvogëluar rreth 80%, nga rreth 500 raste në vit në më pak se 100 raste. Kjo ka sjellë kursime të konsiderueshme, duke arritur në rreth 1.6 milionë euro në vit dhe mbi 6.4 milionë euro në katër vitet e fundit, për pacientët dhe arkat shtetërore”, ka shkruar minstri Arben Vitia, në një postim me pamje nga klinika e renovuar, transmeton Gazeta Shneta.
Ndër përmirësimet kryesore përfshihen:
- Rritja e numrit të operimeve. Vetëm në vitin 2024 janë kryer 504 operime të perdes së syrit më shumë krahasuar me vitin 2023.
- Operimet në segmentin e pasëm të syve janë rritur me 15% krahasuar me vitin 2023.
- Janë bërë 1272 aplikime intravitreale të Anti-VEGF më shumë se në vitin e kaluar.
- Shfrytëzueshmëria e kapaciteteve të klinikës është rritur nga 77% në 2023 në 97% në 2024.
Ky progres ka ndikuar ndjeshëm në eliminimin e listave të pritjes për shumicën e operimeve, veçanërisht për operimin e perdes së syrit, ku pritjet janë përgjysmuar.
Ndërkohë, janë nisur edhe fazat e para të renovimit në Klinikën e ORL-së, duke vazhduar përmirësimet klinikë pas klinike. Këto investime të rëndësishme pritet të sjellin një përvojë më të mirë dhe trajtim më efikas për pacientët. /Gazeta Shneta/




