Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili iu është përgjigjur kryetarëve të komunave të Mitrovicës dhe Vushtrrisë për reagimin e tyre ndaj konkursit në spitalet publike në këto dy qytete.
Kryetarët Agim Bahtiri dhe Xhafer Tahiri kanë kërkuar anulimin e konkursit për drejtorë të spitaleve pasi sipas tyre MSH në bashkëpunim me SHSKUK po i zgjedh njerëzit e PDK-së të cilët nuk kanë kualifikim nga mjekësia. Madje sipas tyre, kandidati me më së shumti pikë për Spitalin e Vushtrrisë është asamblist i PDK-së dhe ka qenë drejtor në dy mandate. Ndërsa kandidatja e vlerësuar me më së shumti pikë për Spitalin e Mitrovicës, është gruaja e njërit nga këshilltarët politik të Kadri Veselit.
Krejt këtë reagim Ismaili e ka quajtur shqetësim për veten e jo për qytetarët dhe sistemin shëndetësor. “Kur flasin për ‘politizim’ dhe ‘dëmtim të sistemit shëndetësor’, Bahtiri e Tahiri realisht mendojnë në ‘punët’ që kanë bërë, e që do t’u ndërpriten, në komunat e tyre. Me reformat që kemi nisur në shëndetësinë kosovare – largohen të papërgjegjshmit që u shërbejnë klientelave dhe afrohen profesionistët që u shërbejnë qytetarëve”, ka shkruar Ismaili.
Sipas tij, kjo dhemb shumë për ata që kanë instaluar klientelizmin në qytetet e tyre, qoftë në spitalet rajonale, qoftë në shërbimet spitalore, prerja e rrënjëve të krimit – nënkupton dobësimin e tyre dhe forcimin e qytetarëve. “Vizioni i PDK-së, të cilin unë si Ministër i Shëndetësisë jam duke e shtrirë me kënaqësi të madhe dhe vullnet të fortë gjithandej institucioneve shëndetësore, është ekskluzivisht për qytetarët”, ka shtuar tutje.
Ismaili ka kërkuar nga dy kryetarët të mos përzihen në punët e Drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, në kompetencë të të cilit është hapja e konkursit për drejtorë të spitaleve rajonale. Krejt në fund Ismaili ka thënë se LDK e ka shtrirë për toke shëndetësinë në mandatin e kaluar, derisa ka thënë se është ai vet që do ta çojë në këmbë. /Gazeta Shneta/