Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili po pretendon se do t’i nivelizojë çmimet e barnave në barnatore private. Kjo sipas tij do të ndodh me Udhëzimin Administrativ për rregullimin e çmimeve.
“Që nga fillimi i mandatit kam marrë shumë ankesa të qytetarëve se çmimet e barnave, të cilat ata po i blejnë, dallojnë nga barnatorja në barnatore, duke i vënë ata para detyrimit që të bëjnë shpenzime të larta. Por, edhe kësaj padrejtësie që ka dëmtuar xhepin e qytetarëve për rreth dy dekada, po i japim fund. Përmes iniciativës për finalizimin e Udhëzimit Administrativ për rregullimin e çmimeve të barnave, qytetarët tanë, kudo që jetojnë, në fshat ose në qytet, do të mundë ta blejnë ilaçin e tyre me çmim të njëjtë në të gjithë Kosovën”, ka shkruar Ismaili.
Ky udhëzim adminsitrativ ishte paralajmëruar të hynte në fuqi në fund të vitit të kaluar, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur. Poashtu kujtojmë se Gazeta Shneta ka raportuar ditë më parë se si vet Ministria e Shëndetësisë nën udhëheqjen e Ismailit ka blerë barna me çmime deri 300 për qind më shtrenjtë.
“Gjithë këtë po e bëjmë që t’i mbrojmë qytetarët tanë nga shpenzimet dhe t’i ndihmojmë farmacistët që të orientohen vetëm në ofrimin e shërbimit profesional farmaceutik. #BashkëeNdreqim”, ka shkruar Ismaili. /Gazeta Shneta/