Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili, ka ripërsëritur se do të ruhet xhepi i qytetarëve dhe buxheti i shtetit nga çmimet e barnave në tregun e Kosovës.
Kjo do të arrihet nëpërmjet një Udhëzimi Administrativ i cili është hartuar në bashkëpunim me OBSH-në. Por Ismaili ende nuk ka treguar se kur pritet të miratohet ky udhëzim.
“Çmime të njëjta për barnat e njëjta në secilën barnatore në gjithë Kosovën, që t’u japim fund shpenzimeve shumë të larta të qytetarëve në blerjen e barnave. Kosova është vendi i vetëm në Evropë, së bashku me Bjellorusinë, që nuk kanë mekanizma për rregullimin e çmimeve. Për ta ruajtur xhepin e qytetarëve, buxhetin e shtetit dhe për ta hequr Kosovën nga kjo “listë e zezë”, në bashkëpunim të afërt me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, ne kemi hartuar Udhëzimin Administrativ për rregullimin dhe unifikimin e çmimeve të barnave”, ka shkruar Ismaili në Facebook.
Gjatë ditës së djeshme është mbajtur një debat publik në lidhje me këtë Udhëzim Administrativ. /Gazeta Shneta/