Mbi 102.200 palestinezë janë plagosur në sulmet izraelite që nga 7 tetori 2023, tha ministria e Shëndetësisë në Gaza.
Të paktën 33 palestinezë të tjerë u vranë në sulmet e pamëshirshme izraelite në Rripin e Gazës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve që nga viti i kaluar në 43.374, tha të hënën ministria e Shëndetësisë në enklavën e rrethuar.
Në njoftimin e ministrisë theksohet se rreth 102.261 të tjerë u plagosën në sulmet në vazhdim.
“Okupacioni izraelit ka kryer tri masakra të familjeve në 24 orët e fundit, duke rezultuar në 33 të vdekur dhe 156 të plagosur”, tha ministria.
“Shumë njerëz janë ende të bllokuar nën rrënoja dhe në rrugë pasi shpëtimtarët nuk janë në gjendje t’i arrijnë ata”, shtoi ai.
Ushtria izraelite ka vazhduar një ofensivë brutale në Rripin e Gazës që nga sulmi i Hamasit vitin e kaluar, pavarësisht një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.
Sulmi ka zhvendosur pothuajse gjithë popullsinë e territorit mes një bllokade të vazhdueshme që ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Përpjekjet ndërmjetësuese të udhëhequra nga ShBA-ja, Egjipti dhe Katari për të arritur një marrëveshje armëpushimi në Gaza dhe shkëmbim të të burgosurve midis Izraelit dhe Hamasit kanë dështuar për shkak të refuzimit të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për ta ndalur luftën.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për veprimet e tij në Gaza. /TRTBalkanAlbania




