Kardiologu Imri Jashari ka thënë se ishte shkarkuar nga pozita e drejtorit pasi mjeku Lulzim Kamberi, i cili tash është drejtor, atë kohë nuk u gjet në vendin e punës.
Ish-drejtori i Klinikës së Kardiologjisë në QKUK Dr. Imri Jashari ka qenë pjesë e këshillit organizativ të protestës së mbajtur sot për shkarkimin e drejtorit aktual Dr. Lulzim Kamberi, shkruan Gazeta Shneta.
Para se të mbahej kjo protestë, kardiologët kishin kërkuar shkarkimin e Kamberit edhe përmes një peticioni. Por me një peticion të njëjtë ishte përballur edhe vet Jashari.
Kardiologu Jashari ka thënë se në vitin 2021 është shkarkuar nga pozita për shkak se drejtori aktual, në atë kohë mjek në njësinë koronare, nuk ishte gjetur në vendin e punës gjatë një kontrolli të Komisionit për kontroll të brendshëm të QKUK-së.
“Arsyeja e shkarkimit tim ka qenë krejt diçka tjetër për shkak se nuk kanë qenë kardiologët në njësinë koronare, e cila nuk ka qenë arsye për me qenë patjetër aty. Njëri nga ata që nuk kanë qenë në punë është edhe drejtori aktual. Kjo është arsyeja e vetme që unë jam shkarkuar. Dhe po i njëjti mjek i cili nuk ka qenë në vendin e punës është bërë drejtor”, ka deklaruar Jashari.
Ai ka thënë se dinjiteti i mjekut është i përulur për toke. “Pankaratat flasin shumë. Nuk kemi interesin të flasim më shumë. Çdo shkronjë e shkruar në pankarta e ka një fakt”, ka thënë Jashari.
Një grup prej 18 kardiologëve sot kanë mbajtur protestë një orëshe për shkarkimin e drejtorit Lulzim Kamberi dhe shefit të njësisë koronare Artan Ahmeti. /Gazeta Shneta/