Kardiologu Sasha Josimovski ka reaguar sot ndaj pretendimeve të kolegëve të tij nga QKUK, se pacientit Shaqir Shala, i janë vendosur stentat dhe bateria në zemër pa nevojë. Josimovski thotë se arteria e pacientit kishte bllokadë totale dhe intervenimet ishin të nevojshme
Kardiologu Sasha Josimovski thotë se nuk është mirë kur mjekët akuzojnë njëri-tjetrin dhe sipas tij kjo bëhet më shumë për xhelozi. Mjeku maqedonas ka përshkruar gjendjen e pacientit që nga pranimi e deri te kryerja e intervenimeve me stent dhe bateri në zemër, shkruan Gazeta Shneta.
“Pacienti është pranuar me diagnozën infarkt akut në murin e parë të zemrës. Arteria ka qenë e mbyllur dhe doktori i parë e ka hapur dhe ka vendosur stent e pastaj ‘pacemaker’ të përkohshëm. Ka qenë bllok total dhe unë nuk e kuptoj se si kanë mundur ta komentojnë kolegët tanë kardiologë sepse këtë e kuptojnë edhe studentët e mjekësisë. Ka qenë bllok total dhe prandaj kemi vendos ‘pacemaker’ të përhershëm dhe për këtë s’kemi dilema”, ka thënë Josimovski.
Kardiologu deklaron se ‘pacemaker’ i përkohshëm është vendosur për shkak se procedura në arterie koronare kryhet më lehtë dhe pastaj duhet të pritet nëse hiqet blloku total ose jo. Pastaj është vendosur ‘pacemaker’ i përhershëm.
“Bllok total është diagnoza. Zotëria ka probleme me arterien e majtë. Pacienti me bllok total i verifikuar me EKG, ka qenë persistent, prandaj është dashur të vendosur ‘pacemaker’. Këtë e dijnë edhe studentët e mjekësisë”.
“Ka qenë 100 përqind e mbyllur arteria. Kjo mund të vërtetohet me koronarografinë që e kemi bërë. Ne në këtë spital ua japim CD-në pacientëve, në spitalet tjera nuk ua japin”, ka thënë ai.
Josimovski shprehet se nuk është mirë që doktorët deklarojnë kundër njëri-tjetrit. “Doktorët kundër doktorëve, kjo nuk është mirë. Unë i njoh krejt doktorat atje dhe nuk është mirë me fol”, ka deklaruar Josimovski. /Gazeta Shneta/