Familjarët e fëmijëve dhe të rinjve me diabet të tipit 1 në Kosovë, përballen me vështirësi dhe sfida të cilat do të duhej t’ua lehtësonte shteti.
Nën kostumin rozë të gjimnastikës, 13-vjeçarja, Jara Hasolli, kryen me saktësi lëvizjet akrobatike mbi trampolinë. Dy tre lëvizje nga prapa, me një frymëmarrje të thelluar, ajo vrapon nxitimthi duke hedhë shtatin në ajër, në dysheme për kapërcime. Çdo të shtunë, ajo merr rrugën nga fshati Bardh i Madh i Komunës së Fushë Kosovës, për në sallat sportive të Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Si tasht, e shtatë vite për stërvitjet gjimnastikore.
Që në moshën 6-vjeçe, Jara tregon se energjia e madhe që kishte për sallto e rrotullime bën që prindërit e saj ta marrin një vendim. Regjistrimin në Klubin e Gjimanstikës në Fushë Kosovë. Ndërkohë, ndjekja televizive e idhullit kosovar të xhudos në paraqitjet spektakolare të arenës botërore sportive, shtyen përpara rrugëtimin e saj. “E kam ditë me 6-vjet që po du m’u bo si Majlinda Kelmendi”, thotë ajo. “Ju kom thanë në shpi krejtve, që nji ditë kam me shku edhe une në Lojërat Olimpike”.
Ndërmjet hedhjes në ajër dhe vrapimit të shpejtë në hapësirën e projektuar për aktivitetet fizike, ajo distancohet herëpasherë nga stërvitjet dhe zë vend në tribunën e shikuesve. Teksa merr një pushim të vogël, ajo nxjerrë aparatin dhe bën matjet e sheqerit (glukozës) përmes senzorit në krah.
Një beep është alarmi që sinjalizon vlerat e ulëta ose të rritura të sheqerit në gjakun e saj. Pas monitorimit, në çantë ka me vete përherë stilolapsat me insulinë, një lëng frutash me sheqer dhe karamelet të cilat i përdorë varësisht nga vlerat e sheqerit të lexuara në monitor. Kjo është një rutinë përndjekje gati tre vjeçare me diabetin e tipit 1.
“Në fillim nuk kam ditë se çka kom. Prindërit ma bojshin po të mungon nji hormon edhe të kalon”, thotë Jara teksa tregon për kohën e hospitalizimit të herës së parë në Klinikën e Pediatrisë së QKUK-së në muajin mars të 2022. Ndërkohë, kur filloi ta kuptonte sëmundjen e diabetit më shumë, vullneti për ta ndjekur nga pas ëndrrën e saj, ju dha forcë prindërve që kjo betejë e nisur duhet luftuar.
“Kena me ja dal”, janë fjalët që ajo i përsërit shpesh kur sheh fytyrat e prindërve të shqetësuar e të vrenjtur.

Jara thotë se në shkollë – shokët dhe shoqet ishin mbështetës në rrugëtimin e ri me diabet. Përgjatë orarit në klasë, ajo kontrollon vazhdimisht nivelet e sheqerit në gjak, përpara ose pas çdo marrje të ushqimit apo dhe zhvillimit të aktiviteteve shkollore. Teksa me kujdes të shtuar, menaxhon kohën e testimeve në lëndët shkollore dhe në sport.
Megjithë ndryshimet e përjetësuara, Jara sfidon çdo ditë diabetin me gjimnastikë. Ajo ka të përfunduar dhe dy vite e gjysmë shkollën e muzikës dhe baletit “Prenk Jakova” në Prishtinë dhe është e dekoruar me medalje të shumta në nivel vendi dhe më gjerë. Në Prishtinë, ka fituar një çmim të veçantë të njohur si “Shpresa Olimpike”, të vlerësuar me performancën më të mirë në kapërcime në vitit 2022, ndërsa në garat në Gjermani është futur në top 5-she, njashtu për kapërcime.
Sëmundja e diabetit të tipit 1 nuk mund të parandalohet
Diabeti është një çrregullim kronik metabolik, i cili karakterizohet nga një përqendrim i lartë i sheqerit (glukozës) në gjak.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh), diabeti (diabetes mellitus) është një gjendje shëndetësore kronike që lind si pasojë e prodhimit të pamjaftueshëm të insulinës nga pankreasi (diabeti i tipit 1) ose kur trupi i njeriut nuk mund ta përdorë në mënyrë të duhur insulinën e prodhur nga pankreasi (diabeti i tipit 2).
Ndërkohë, Federata Ndërkombëtare për Diabet (IDF), ka përkufizuar diabetin e tipit 1 si një sëmundje autoimune kronike që pengon pankreasin të prodhojë insulinë ose prodhon shumë pak.
Insulina është një hormon i rëndësishëm që rregullon sasinë e sheqerit në gjak. Kur nuk mund të prodhohet ose të përdoret insulina në mënyrë efektive, kjo gjendje dërgon në nivele të larta të sheqerit në gjak të njohura si hiperglikemi dhe trupi nuk mund ta përdorë ushqimin që hani si formë energjie. Manifestimi i gjendjes së diabetit karakterizohet me simptomat si etje e shtuar, urinim i shpeshtë, uri e vazhdueshme, mungesa e energjisë dhe humbje e papritur e peshës.
Teksa origjina e diabetit të tipit 1 është ende e panjohur, ka disa studime që mbështesin faktin se ekziston një predispozitë gjenetike në fjalë. Shkaktarë të tjerë të sugjeruar janë proceset autoimune dhe viruset që nxisin këto reaksione. Si rrjedhojë, sëmundja e diabeti të tipit 1 nuk mund të parandalohet.
Megjithatë, kjo gjendje mund të menaxhohet në vazhdimësi përmes tre komponentëve kryesor duke përfshirë këtu insulinën, monitorimin e vazhdueshëm të sheqerit në gjak dhe numërimin e karbohidrateve të marra përmes ushqimit.
Në literaturën mjekësore, diabeti i tipit 1 ndryshe njihet dhe si diabeti insulinovartës ose diabeti juvenil. Kjo sepse forma e tipit 1 shfaqet që në fëmijëri ose adoleshencë dhe kërkon përdorimin e insulinës për të mbajtur në kontroll nivelet e sheqerit në gjak.
Në Kosovë, në Shërbimin e Endokrinologjisë Pediatrike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), përgjatë fillimit të vitit 2024 e deri në muajin tetor, janë hospitalizuar 74 raste me diabet, ku prej tyre 40 raste të reja janë me diabet tipit 1. Ndërsa në Klinikën e Endokrinologjisë së QKUK-së, brenda periudhës së njëjtë, 18 individë me diabet të tipit 1 janë shtruar në spital për të menaxhuar gjendjen e tyre.
Trajtimi dhe menaxhimi i diabetit (tipit 1 dhe 2) tek fëmijët dhe adoleshentët deri nën moshën 18-vjeçe bëhet nga endokrinologët pediatrik ndërsa mbi moshën 18-vjeçe, vizitat konsultuese vazhdohen tek endokrinologët internist të QKUK-së.
Në Kosovë, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKShPK), bazuar në gjetjet e “Raportit të Morbiditetit të vitit 2022”, janë regjistruar gjithsej 2,455 raste të diabetit të tipit 1.
-1,444 raste të gjinisë femërore
-1,011 raste të gjinisë mashkullore
Të lënë në mbështetje të familjes
Kur një anëtar preket nga diabeti, një sfidë e përbashkët përgjegjësie dhe sakrifice shtrihet mbi të gjithë familjen. Një muaj para diagnozës së diabetit, nëna e Jarës, Lumnije Hasolli, 50-vjeçe, nga Fushë Kosova, tregon se etja e shtuar dhe urinimi i shpeshtë gjatë natës ishin simptomat e para që krijuan mëdyshje rreth shëndetit të vajzës.
“Gjithmonë u kanë fëmijë i shëndoshë”, thotë Hasolli, teksa tregon për fazën e vegjëlisë së saj dhe nuk i kujtohet ndonjë rast specifik se kur ka qenë e sëmurë e as me ftohje ose me grip. E as barna nuk i ka përdorë kurrë.
“Kur kom mësu që vajza e ka diabetin, ditë e enjte u kanë. M’u ka shemb bota. Kam mendu që diabeti i prek veç pleqtë”, thotë ajo.
Hasolli, pas qëndrimit 6-javor në Klinikën e Pediatrisë me Jarën, sfida e parë që kishin për të kaluar si prindër, ishte rikthimin në shkollë dhe faza adaptuese e mësimit me diabet.
Megjithë përkrahjen nga drejtoria dhe tërë stafit shkollor në Fushë Kosovë, ajo tregon se për kujdesin që kërkon kjo sëmundje ka ngritur zërin në kërkesat e saja. Në mungesë të dhomave infermierore dhe psikologut në shkollë, roli mbështetës bie menjëherë tek familja.
Ndërkohë, teksa flet për pasionin e madh që ka vajza ndaj gjimnastikës, Hasolli tregon se po në të njëjtin vit, pas marrjes së diagozës, kishin filluar stërvitjet përgaditore në Gjermani në vitin 2022. Me ndihmën e miqve që kishin paguar udhëtimin e tyre, ajo kishte arritur ta mbështeste vajzën drejt rrugës së gjimanstikës dhe menaxhimit të diabetit.
Rrugëtimi i tyre nuk përfundojë vetëm me stërvitjet. Në mendje e Hasollit, kishte lindur një përpjekje tjetër me situatën e krijuar së fundmi. Me përkrahjen e bashkëshortit dhe djalit, kishin vendosur të rrezikonin, gjatë kohës që kishin qëndruar tek familjarët në shtetin gjerman.
“Gjatë asaj periudhe jom interesu me gjetë nji punë edhe me lyp azil. Ish fazë e liberalizimit të vizave për Kosovën. E pash që nuk po mbërrijë me bo zgjidhje”, thotë Hasolli, teksa shpreh zhgënjimin e madh me të cilën po kalonte së bashku me gjithë familjen. “Shteti bon shumë pak për këta fëmijë. Këtu as nuk ki pompa e as senzora”.
Teksa senzori i glikemisë, bën matjen e vazhdueshme të nivelet të sheqerit në gjak, pompa e jashtme imiton funksionin e pankreasit dhe çlirimin e insulinës së shpejtë. Ndërkohë, menaxhimi i diabetit lyp përkushtim dhe është i kushtushëm, thotë Hasolli. Si një familje 5-anëtarëshe me vetëm një pagë mujore hyrëse nga ana e bashkëshortit, kërkesat për ndihmë dhe mbështetje tek vëllezërit dhe motrat e saja qenë të pashmangshme.
“Burri punon si punëtor fizik. Me ju dal me shpenzime në krye, çdo muj, burrit i bjen me hi në borgjë tek pronari i vet. Punon shtatë ditë të javës. Ka ndodhë deri në tre muaj ka punu pa pushim për m’i la borgjet”, thotë Hasolli teksa tregon për koston e lartë të ushqimeve që i nevojiten, analizave rutinore dhe insulinave. “Tonë jetën nuk mundesh me mbetë barrë e dikujt”.
Për Hasollin, një shqetësim ende më i madh që e ka në mendje është çështja e sigurimit të senzorit. Ajo tregon se deri më tani, senzorat ka arritur t’i sigurojë përmes miqve të burrit që jetojnë në Gjermani. Kryesisht, blerja e tyre është bërë përmes shitjes së senzorave në rrjete sociale nga të rriturit që kanë diabet dhe nuk i përdorin më.
“Këtë javë e ka senzorin e fundit. Na thanë që s’po munden ma, me ja u siguru përmes rrjeteve sociale. Ka gjasa i diktojë shteti andej. Prej nesër na duhet me u kthy me shiritat e glikemisë – nonstop”, thotë ajo.
Hasolli, është ndër nënat e para që ka filluar rrugën e avokimit dhe ngritjes së zëri ndaj sfidave me të cilat ballafaqohen çdo ditë në rrugëtimin me diabet. Ajo mes problemeve financiare, brengën ende më të madhe e ka të ardhmen e vajzës, nëse diabeti nuk arrihet të menaxhohet siç duhet.
“Shteti duhet me pas pak mëshirë ndaj këtyre fëmijëve që përkundër një sfide që kanë me diabet, talentin që e kanë për dikund mos me lanë me u shujt”, thotë ajo.

Çanta e vogël mbështetëse e Jarës me stilolapsat e insulinës dhe aparatin për matjen e glikemisë. / Fotografitë: Gazeta Shneta
Neglizhenca institucionale e sistemit shëndetësor
Sistemi shëndetësor në Kosovë, për fëmijët e prekur nga diabeti i tipit 1, ofron dy lloje të insulinave falas.
Kryetari i Shoqatës së Pacientëve të Sëmurë me Diabet në Pejë, Idriz Ethemi, thotë se shteti i përkrah shumë pak pacientët me diabet. Megjithë, mbulimin e kostos së insulinës dhe disa nga medikamenteve të tjera nga Lista Esenciale e Barnave (LEB), përsëri kostoja mujore e të jetuarit me diabet mbetet e lartë.
“Ushqimet për pacientët me diabet janë të veçanta dhe kanë kosto të lartë, gjithashtu dhe analizat për përcjelljen e gjendjes shëndetësore kanë kosto, duke ditur që diabeti sulmon të gjitha organet”, thotë ai.
Vetëm në Pejë, të anëtarësuar në shoqatë janë 70 fëmijë me diabet të tipit 1, thotë Ethemi. Përveç mbështetjes me insulina, ata nuk marrin ndonjë përkrahje tjetër.
Ndërkohë, përgjatë vitit 2021, në Kosovë furnzimi me insulina në vend është përcjellur me probleme të shumta.
Pas përplasjeve për tenderin e vitit 2020 ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë (MSh) dhe Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), një operator ekonomik u akuzua për dorëzim dokumentesh të falsifikuara dhe për mungesë të Autorizim Marketingut (AM) për importimin e insulinave në vend.
Nga kjo gjendje, pësuan shumë pacientë të cilët u rrezikuan për 6 muaj pa insulina nga institucionet shëndetësore publike. Të shtyerë nga kjo situatë, atyre iu deshtë të kalonin kufinjtë për t’i blerë insulinat, të cilat nuk u gjenden as në barnatoret private në Kosovë.

Të gjithë individët me diabet të tipit 1 duhet të marrin insulinë sintetike nga jashtë për të mbajtur në kontroll nivelet e sheqerit në gjak. Tri mënyrat më të zakonshme për të marrë insulinën janë përmes një shiringe, stilolapsit me insulinë ose një pompe insulinike.
Monitorimi i sheqerit në gjak duhet të bëhet gjatë gjithë kohës. Ndërkohë, kjo mund të arrihet përmes matësit të thjeshtë si glukometërit dhe shiritave glikemik të cilët janë të zakonshëm në përdorim në mesin e personave të prekur me diabet në Kosovë si dhe senzorëve të matjes së vazhdueshme të glikemisë (CBGM).
Teksa një parametër shumë i rëndësishëm në mbajtjen stabile të nivelit të sheqerit në gjak është dhe kujdesi ndaj ushqimit që merret përditë.
Tek diabeti i tipit 1 kemi faktorin si numërimin e karbohidrateve që është të kuptuarit se sa gram karbohidrate ka në ushqimin tuaj, në mënyrë që të mund të përcaktoni se sa insulinë duhet të merrni. Kjo arrihet duke lexuar vlerat e kardohidrateve në etiketë të produktit ushqimor apo dhe duke i matur produktet në peshore kuzhine.
Në të kundërtën, menaxhimi i dobët i sëmundjes së diabetit rrit sheqerin në gjak. Me kalimin e kohës, kjo mund të ndikojë ose dëmtojë organet kryesore të trupit, duke përfshirë zemrën, enët e gjakut, nervat, sytë dhe veshkat.
Ndërkohë, përveç diabetit të tipit 1, Shoqata Amerikane për Diabet (ADA), identifikon dhe tre lloje kryesore të diabetit:
Diabeti i tipit 2, që është forma më e zakonshme e diabetit që ndodh kur trupi nuk prodhon ose nuk përdorë insulinën siç duhet (rezistenca ndaj insulinës). Kjo mund të lidhet me faktorë të tillë si stili i jetesës, mbipesha dhe gjenetika.
Teksa veçon diabetin gestacional, që ndodh gjatë shtatzënisë dhe zakonisht largohet pas lindjes, por rrit rrezikun për zhvillimin e diabetit të tipit 2 më vonë në jetë.
Dhe diabeti me shkaqe të tjera, që manifestohet me raste të rralla të shkaktuar nga faktorët si çrregullimet gjenetike të qelizave beta ose defekteve të insulinës, sëmundjes së pankreasit ose prej disa medikamenteve.

“Fëmijët me diabet të tipit 1 nuk janë të ndryshëm nga fëmijët e tjerë”
Pesëmbëdhjetë është numri i viteve që 21-vjeçarja nga Prishtina, Lisa Mehmeti, sfidon çdo ditë sëmundjen e diabetit të tipit 1. Që nga momenti i parë kur iu shfaqën simptomat, jeta e saj dhe e familjes ndryshoi përgjithmonë me datën 5 maj të 2010-ës.
Mehmeti si një studente e psikologjisë, kujton periudhën e fëmijërisë rreth kohës së diagnostikimit në moshën 6-vjeçe, kur jeta i ishte dukur si një kënd i lodrave. Dhe ajo lojë mendonte se do të përfundonte së shpejti. “Kam mendu që qato shpime me insulinë ka m’i pas veç qato ditë sa isha në spital dhe pastaj kam me vazhdu jetën normale”.
“Kur kom dal prej spitalit, prindërit janë mundu me m’tregu se çka kom. Ti je shumë e ëmbël, për qata duhesh me marr ilaçin insulinë për me ta ulë sheqerin”, thotë Mehmeti, teksa tregon kohën kur shpimet e trupit me insulinë brenda ditës ishin mjaft të shpeshta.
Rruga drejt zbulimi të diabetit për Mehmetin nuk ishte aspak e lehtë. Një diagnozë e vonuar dhe një zhgënjim emocional i prindërve ndaj mjekëve pediatër në Kosovë, bën që vizita e parë konsultuese rreth diabetit të merrej në Austri. Ajo tregon se këshillat që i kishte marrë nga mjekët e huaj i dhanë forcë për të kuptuar qysh në atë moshë për diabetin dhe të mos ndihej që dallonte nga fëmijët e tjerë.
“Pasiqë m’i ka tregu do foto të fëmijëve të tjerë, mjeku um ka thanë ti nuk je ndryshe prej tyne, ti mundesh me shku në shkollë, mundesh me dal me lujt, mundesh mu bo artise e mundesh mu bo sportiste”, thotë Mehmeti.
Ndërkohë, vijimi në njërën nga shkollat publike të Komunës së Prishtinës prej klasës së parë e deri në të katërtën, nuk ishte diçka që e pengonte rrugëtimin e saj në përditshmëri dhe menaxhimin e diabetit. Orari i shkurtër në shkollë krijonte hapësirë që të bënte administrimin e insulinave në shtëpi. Ndërkaq, me rekomandimet nga drejtoria e shkollës, nuk kishte leje për të treguar në klasë se ishte me diabet për t’u mbrojtur nga bullizimet.
Mirëpo, nuk zgjati shumë dhe me ndryshimet e fazës së pubertetit, kontrolli mbi diabet u bë më i vështirë, thotë Mehmeti teksa tregonte për nevojën e madhe që kishte për privatësi, për matjen të sheqerit dhe marrjen e insulinës.
Duke ditur se dhomat e infermierisë janë të rralla në shkollat publike, prindërit e saj kërkuan një zgjidhje për këtë çështje. “Qe ku jonë banjot, kqyre ku është korridori”, i ishin përgjigjur drejtoria e shkollës – prindërve të Mehmetit.
Ndërrimi i shkollës nga ajo publike në atë private pasoi menjëherë duke rishikuar tashmë kushtet që ofronin institucionet private, si të pasurit e një dhome infermierore dhe prezencën e psikologut në shkollë. Ky ndërrim solli në vete thyerjen e heshtjes rreth sëmundjes së diabetit dhe nga ai moment, Mehmeti kujton se ishte më e lehtësuar dhe kishte ku të drejtohet në rast të përkeqësimit të gjendjes.
Ndërkohë, Mehmeti tregon se në moshën 13-vjeçe, nga endokrinologia konsultuese kishte dëgjuar që në Kosovë për herë të parë ishte prezantuar pompa insulinike në vitin 2016. Për benefitet që kishte kjo pompë, ajo tregon se prindërit e saj nuk hezituan në blerje, pavarësisht ngarkesës së kostos.
“Me pompë jom rritë tepër shumë”, thotë ajo duke treguar mbi ndryshimet trupore në peshë dhe gjatësi. Teksa një pjesë e rëndësishme kontribuese e pompës insulinike ishte ulja e rasteve të incidencës me hipoglikemi (uljes së sheqerit) që e dërgonin atë deri në halucinacione.
“Në moshën 10-vjeçe, para se me marr pompën e mbaj mend kemi qenë në deti, mu ul sheqeri shumë, fillova mu dridhë, jom shtri përtoke e um dilshin para syve karaktere të filmave vizatimorë”, kujton ajo.
Si Hasolli, ashtu edhe Mehmeti ka treguar se kostoja e sëmundjes së diabetit tanimë është një fakt i pranuar. Një pagë mujore e prindërve të saj do të adresohet çdo muaj për matësit e sheqerit si senzorët të cilët i blen në Itali, materialet shpenzuese të pompës, tabletat dekstrozë për ngritjen e sheqerit, analizat biokimike rutinore dhe kujdesi në dietën ushqyese.
“Kanihere ndihna si barrë e madhe për prindërit, edhe pse ata tentojnë me ma largu këtë mendim!”, thotë Mehmeti.

Pompa e insulinës dhe senzorët për matje të vazhdueshme të glikemisë (CBGM) janë pajisje gjithnjë e më të zakonshme për trajtimin dhe menaxhimin e diabetit të tipi 1.
Sipas IDF, senzori CBGM është një pajisje që monitoron nivelin e sheqerit në gjak në vazhdimësi duke ofruar informacione të shpejta dhe të sakëta. Ky sensor zakonisht vendoset në zonën e krahut ose barkut, dhe ka një gjilpërë të vogël që futet në shtresën nënlëkurore për të matur nivelet e sheqerit.
Përmes këtij mekanzimi, sensori dërgon të dhëna në kohë reale te një pajisje marrëse, si një smartfon, monitor ose tek një pompë insulinike. Shumica e sensorëve duhet të ndërrohen çdo 7-14 ditë.
Sensori CBGM është shumë i dobishëm te diabeti sepse mund të njoftojë përdoruesin për ndryshime të papritura të sheqerit në gjak. Njëkohësisht redukton nevojën e matjes së sheqerit përmes shpimit të vazhdueshëm të gishtave.
Ndërkohë, pompat insulinike janë forma më e avancuar e shpërndarjes së insulinës. Ato janë pajisje të vogla të jashtme të programuara për të dhënë insulinë me veprim të shpejtë nën lëkurë.
Kjo pajisje insulinike imiton funksionin e pankreasit dhe shërben për marrjen e insulinës në sasi precize. Përmes kësaj, tentohet të arrihen vlerat mesatare të sheqerit në gjak për tre muajt (HbA1C), kështu duke ulur rrezikun për shfaqjen e komplikimeve nga diabeti.
Përdorimi i pompës insulinike është konsideruar të jetë ideale në menaxhimin e diabetit, veçanërisht tek fëmijët. Zakonisht, mosha më e preferuar për vendosjen e kësaj pompe është mbi 3-vjeç.
Nga Klinika e Pediatrisë së QKUK-së, Dr. Elida Krasniqi dhe Dr. Atifete Ramosaj-Morina, kanë thënë se mungesa e pompës insulinike në Kosovë, paraqet një problem të madh në menaxhimin e diabetit të tipit 1 sidemos tek fëmijët e vegjël.
Kjo për arsye se ata kanë një rutinë të ushqyerjes së pakoordinuar, kërkojnë doza të vogla dhe të shpeshta të insulinës – dhe kanë rrezik të lartë të manifestimit të krizave të hipoglikemisë, theksuan Dr. Krasniqi dhe Ramosaj-Morina.
Monitorimi i diabetit të tipit 1 përmes pompës insulinike tek fëmijët ka shumë përparësi. Sipas mjekeve pediatre, përdorimi i pompës zvogëlon krizat e hipoglikemisë dhe mundëson evitimin e punksioneve (shpimeve) të shpeshta të trupit me insulinë.
Teksa përmes mekanzimit punues të pompës, ato theksuan se vie deri tek përcaktimi i saktë i dozës së insulinës në raport me karbohidratet që i marrin përmes ushqimit dhe kështu arrihet në në menaxhim më të mirë të sheqerit në gjak.
Në Kosovë, pajisjet mjekësore si pompat insulinike dhe senzorët CBGM hyn në kategorinë e pajisjeve medicinale për monitorim të sëmundjes, sipas përkufizimit të Ligjit Nr.03/L-188 për Produkte dhe Pajisje Medicinale. Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM) është autoriteti kompetent që monitoron, rregullon dhe miraton pajisjet dhe medikamentet për përdorim të sigurt dhe efikas tek popullata. Sipas legjislacionit të Kosovës, mbështetur në direktivat e BE-së, pompa insulinike dhe senzorët CBGM klasifikohet si pajisje medicinale me certifikatë CE (Conformité Européene), të cilat mund të importohen pas marrjes së lejes së importit në AKPPM. Kjo certifikatë është një kërkesë ligjore për produktet dhe pajisjet mjekësore që mund të shiten në tregun evropian. Teksa tregon që pajisja është testuar dhe ka kaluar vlerësimet e nevojshme për përdorim të sigurt.
Ndërkohë në shumë vende të rajonit dhe në botë, pajisjet si pompa insulinike dhe senzorët CBGM ofrohen falas tek pacientët me diabet, të cilat subvencionohen nga shtetet apo mbulohen nga sigurimet shëndetësore. Në Kosovë, sistemi shëndetësor nuk është i gatshëm të adresojë çështjen e mungesës së këtyre pajisjeve teknologjike.
Për të marrë më shumë informacione rreth mungesës së disponueshmërisë së pompës insulinike në sistemet publike të kujdesit shëndetësor, burimet e Gazetës Shneta e kanë adresuar çështjen në Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës (MSh).
Nga MSh-ja u tha se kjo kërkesë duhet të vijë nga profesionsitët e fushës së Klinikës së Endokrinologjisë dhe pastaj të trajtohet nga Komiteti për Listën e Barnave Esenciale.
“Varësisht nga numri, specifikat teknike, buxheti që duhet dhe varësisht nga rekomandimet e Komitetit të LBE-së bëhet aprovimi [pompës insulinike]”, thuhet në komunikatën e Divizionit të Komunikimit me Publikun nga MSh-ja.
Mirëpo, rekomandimet mbi rëndësinë e futjes së pompës insulinike në LEB nga ana e Klinikës së Endokrinologjisë së QKUK-së kanë filluar që nga vitit 2018, në kohën e ish-Ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismajlit.
Teksa në fillim të vitit 2024, Dr. Merita Emini-Sadiku, drejtore e Klinikës së Endokrinologjisë, e rikthen përsëri këtë projekt në bashkëpunim me Klinikën e Pediatrisë, duke paraqitur një kërkesë të detajuar në lidhje me furnzimin me pompa insulinike dhe senzorët CBGM.
“Kërkesa është bërë për një numër relativisht të vogël të pacientëve për një periudhë tri vjeçare e cila do të vazhdonte më pas si një plan strategjik për vite të tëra deri në furnzimin e të gjithë pacientëve në nevojë”, thotë Dr. Emini-Sadiku.
Mirëpo, kjo kërkesë ende nuk ka marrë dritën jeshile. Dr. Emini-Sadiku mendon se nuk është përkrahur për momentin ky projekt, për shkak se nuk ka buxhet të mjaftushëm dhe se këto pajisje janë konsideruar mjaft të shtrenjta sa i përket inkuadrimit të tyre në LEB.
Ndërkohë, në vitin 2018 në Kosovë, për herë të parë është vendosur një pompë insulinike në Klinikën e Endokrinologjisë së QKUK-së, tek një pacient i rritur me diabet të tipit 1. Kjo pompë ishte donacion i dhuruar nga një kompani e Kroacisë, thuhej sipas një njoftimit zyrtar për media nga ShSKUK-ja.
Në vendet e rajonit, këto pajisjet teknologjike janë të disponueshme për pacientët me diabet të tipit 1 në institucionet publike shëndetësore.
Sipas raporteve të përditësuara të IDF, në Maqedoninë e Veriut, pompat e insulinës dhe senzorët CGM janë në dispozicion falas për fëmijët me diabet të tipit 1.
Në Kroaci, pompat e insulinës dhe senzorët janë të disponueshëm dhe rimbursohen plotësisht vetëm për fëmijët dhe të rritur me diabet të tipit 1 dhe një situatë e njëjtë është edhe në Serbi.
Teksa në Shqipëri, megjithë avokimin e vazhdueshëm nga Shoqata e Diabetit, këto pajisje nuk janë ende të disponueshme në sistemin publik shëndetësor. Megjithatë, përmes fondit të sigurimeve shëndetësore, rimbursohen shiritat e glikemisë tek një pjesë e popullatës shqiptare me diabet.
Në Kosovë, organizata joqeveritare shëndetësore, Aksioni për Nëna dhe Foshnja (AMC), nga edicioni i sivjetëm dhe organzimi i ‘Let’s Dance’ mbi fushatën e diabetit, të mbajtur në muajin shtator të këtij viti, ka mbledhur mjete rreth 37,000 euro me ndihmën e pjesëmarrësve dhe bashkëpunëtorëve. AMC përmes këtyre mjeteve të mbledhura do të blejë pajisje dhe materiale shpenzuese për fëmijët me diabet – për herë të parë në vend, siç janë monitorët e vazhdueshëm të glikemisë (CBGM). Ky donacion do të plotësojë nevojat e vetëm dhjetra fëmijëve për një vit të tërë.

Mehmeti nga rrethanat e kaluara dhe ndihmën e pakët që mund ta merrte nga shteti, ka nisur një fushatë ndërgjegjësuese me incimin e një organizate joqeveritare të re në komunitet. Ajo me ndihmën e prindërve themeloi “tipi1omël” në Prishtinë, për të ndihmuar bashkëmoshatarët që ndjekin rrugën e njëjtë. Ajo tregon se dëshiron ta largoj konceptin që diabeti prek vetëm pleqtë.
“Ka pas organzime në të kalumen për ditë të diabetit, ku veç pleqtë merrshin pjesë, e dilshin nëpër foto. Ku po mbesim na? Po du krejtve me ju tregu se diabeti prek të rinjtë, fëmijë, gra shtatzane e beba”, thotë ajo.
Ndërkohë, Mehmeti tregon se përmes kësaj nisme, synon të ngrisë zërin fuqishëm që pompat insulinike dhe senzorët CBGM, të futën në LEB dhe të merren falas nga shteti, teksa kjo barrë nuk duhet të jetë vetëm e familjarëve.
“Nuk është veç insulina që na vyn neve për me ekzistu!”, thotë Mehmeti. /Gazeta Shneta/




