Një ekip i mjekëve kardiokirurgë nga Italia kanë operuar 11 pacientë, 6 prej të cilëve fëmijë, me probleme në zemër në Klinikën e Kardiokirurgjisë në QKUK.
Mjekët italianë janë asistuar nga mjekët kosovarë të Klinikës së Kardiokirurgjisë, thuhet në njoftimin e QKUK-së.
“6 fëmijë të operuar nga ekipi italian, i udhëhequr nga Dr. Bruno Murzi, me ndihmën e ekipit vendor, i udhëhequr nga Dr.Adem Grbolar dhe ekipi i kardiokirurgëve tjerë, kishin defekt të bashkëlindur të zemrës, defekt të septumit ventrikular, defekt të septumit atrial, si dhe duktus perzisten arterial”, thuhet në njoftim.
Fëmijët janë përzgjedhur nga Klinika e Pediatrisë, dr. Ramush Bejiqi dhe ekipi kardiologjisë pediatrike.
QKUK thotë se pacientët e operuar janë pa asnjë komplikim postoperativ. Ndërkaq, 5 pacientë të moshës së rritur kishin probleme me aneurizmën e aortës, sëmundje të valvulave dhe sëmundje koronare.
“Të gjithë pacientët e operuar janë lëshuar në mjekim shtëpiak, pas trajtimit postoperativ, pa komplikime. Mjekët italianë do ta vizitojnë sërish Kosovën, me qëllim të shkëmbimit të njohurive dhe thellimit të bashkëpunimit me mjekët kosovarë”, thuhet në njoftim. /Gazeta Shneta/