Katër mjekë të rinj nga Kosova kanë qëndruar për një javë në repartin e Kardiologjisë të Spitalit të Luzernit me ftesën e shefit të këtij reparti Prof. Dr. Florim Cuculi.
Mjekët e rinj kanë pasur rastin të shohin nga afër procesin e punës në këtë spital, shërbimet e avancuara të kardiologjisë intervente dhe teknologjinë e përdorur, shkruan Gazeta Shneta.
“Këto katër mjek të rinj i njohtova në një ligjeratë për EKG në Prishtinë. I ftova në Zvicër sepse e meritojnë, sepse janë të motivuar dhe sepse janë super smart. Më e rëndësishmja: duan ta zhvillojnë karrierën e tyre në vendlindje. Ju lumt!”, ka shkruar prof. Cuculi.
Edhe mjekët e rinj janë shprehur shumë të kënaqur me këtë mundësi.
“Gjatë hospitimit njëjavor në Spitalin Kantonal të Lucernit, nën mentorimin e Prof. Dr. Florim Cuculit dhe stafit të tij të Kardiologjisë, patëm mundësinë të shohim nga afër ekselencën profesionale, teknologjinë e fundit, si dhe etikën dhe harmoninë mbresëlënëse të sistemit shëndetësor zviceran.
Dëshirojmë ta falënderojmë nga zemra Prof. Dr. Florimin, i cili përveç kësaj mundësie te jashtëzakonshme profesionale, na ofroi ngrohtësinë dhe bujarinë ashtu siç ja kemi zakon, përmes mikpritjes së tij të veçantë.
Profesori në fjalë duhet konsideruar një aset kombëtar, i cili me energjinë dhe vizionin e tij, të jetë shembull frymëzimi për të gjithë neve!
Kthehemi me shpresën dhe vullnetin që, si brez i mjekëve të rinj, dalëngadalë përmes shkëmbimeve të tilla ta aplikojmë një sistem të tillë pune edhe në vendin tonë dhe të ndërtojmë ura të forta bashkëpunimi me diasporën shqiptare dhe jo vetëm!”, kanë shkruar ata në Facebook. /Gazeta Shneta/





