Drejtori i i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, Dr. Basri Sejdiu, ka pritur sot në takim zyrtarë të Agjencisë së Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore.
Në këtë takim është biseduar lidhur me mbrojtjen nga rrezatimi në klinikat dhe spitalet e SHSKUK-së, në veçanti atë të Onkologjisë, Mjekësisë Nukleare dhe Radiologji.
Beqir Mezelxhiu, drejtori i Agjencisë, ka kërkuar të punohet më shumë në mbrojtje nga rrezatimi në shërbimet radiologjike në QKUK, transmeton Gazeta Shneta.
“Në takim, z. Mezelxhiu, tha se është punuar nga institucionet në varësi të SHSKUK-së, për mbrojtje nga rrezatimi, sidomos në shërbimin e mjekësisë nukleare dhe Klinikën e Onkologjisë, përderisa mbetet të punohet më shumë në shërbimet radiologjike”, thuhet në njoftim.
Në takim u bisedua edhe për licencimin e brahiterapisë, shërbim ky që është në procedurë të licencimit nga ky institucion.
Dy palët, u pajtuan për intensifikim të bashkëpunimit dy palësh, në dobi të mbrojtjes nga rrezatimit në institucionet shëndetësore në varësi të SHSKUK.
Në takim prezent ishin edhe drejtori i Klinikës së Onkologjisë, dr. Ekrem Hyseni dhe dr. Fakir Spahiu, drejtor i Shërbimit të Mjekësisë Nukleare. /Gazeta Shneta/